13 Tetor, 2017 - 9:33 pm
“Kosovo Art Academy” është akademia më e re e themeluar nga Akademia prestigjioze e Arteve të Bukura “LABA” me seli në Itali. Me rastin e inaugurimit, nesër do të mbahet ekspozitë nga artistë italianë dhe të Kosovës me titullin “Nën të njëjtin qiell” , shkruan KultPlus.
Në këtë ekspozitë artistët ndërkombëtarë dhe vendorë që do të marrin pjesë janë : Roberto Dolzanelli, Filippo Centenari, Armida Gandini, Tommaso De Angelis, Dany Vescovi, Zeni Ballazhi, Rrezeart Galica, Dardan Luta, Afrim Spahiu, dhe Artan Balaj.
Roberto Delzanelli, udhëheqës i Kosovo Art Academy, në një konferencë për media hapjen e kësaj akademie e quajti një moment të rëndësishëm sa i përket takimit të artistëve kosovarë dhe shqiptarë, ku theksoi edhe vështirësitë e Kosovës në identitetin kulturor.
“Kësaj ekspozite kemi dashur t’ia japim titullin “Nën të njëjtin qiell” , me idenë që populli kosovar, italian dhe të gjithë popujt nëse i drejtojmë sytë nga qielli, të gjithë jemi nga ky qiell dhe kjo na ndihmoj t’i kalojmë vështirësitë e njëjta që i kemi në jetë’, ka thënë ai, shkruan KultPlus.
Ndërsa kuratori i ekspozitës , Alberto Mattia Martini thotë se e gjithë ekspozita është krijuar në bazë të titullit dhe se fillimi i kësaj Akademie nënkupton ngritjen në tokë drejt qiellit për të mbjellë një ndjeshmëri artistike.
“Kjo ekspozitë ka për qëllim që të përmbledhë ndryshimet e të gjithë njerëzve, që nuk jemi të gjithë të njëjtë dhe ekspozita përpiqet ta shfaqë këtë dallim i cili është një bukuri në vete. Të gjitha punimet në ekspozitë bazohen në aspektin e natyrës, një natyrë e cila është e pushtuar nga materia dhe nga ngjyra, një natyrë që shndërrohet pastaj në natyrë fotografike. Në ekspozitë do të shihni një natyrë që konsiderohet në një metropol nga vetë njeriu”, është shprehur Alberto Mattia Martini
Drejtori i kësaj akademie, Shaban Bujupi, u shpreh i privilegjuar që po i sjellin këtë shkollë Kosovës. Këtë bashkëpunim me italianët ai e cilësoi risi për artin dhe kulturën kosovare , duke theksuar se Italia i ka dhënë botës artistet më të mëdhenj.
Rrezeart Galica, i cili do të jetë profesor i dizajnit në këtë akademi , ardhjen e kësaj ekspozite e quajti një art më ndryshe dhe që përmes kësaj akademie arti nuk do të mbetet më i kufizuar vetëm brenda Kosovës.
“Po besoj që bashkëpunimi i artistëve shqiptarë dhe Italianë do sjellë diçka të re për publikun kosovar, edhe në ekspozitën që do të hapet nesër. Bashkëpunimi do të vazhdojë edhe me workshope të tjera të përbashkëta , shkëmbimin e eksperiencave dhe do të njohim artin e njëri-tjetrit, se në ç’rrugë po shkon . Kjo akademi është një dritare e re për brezat e rinj dhe një mundësi që artin e tyre ta plasojnë edhe në Evropë” ka thënë Galica. G.H / KultPlus.com