8 Dhjetor, 2024 - 10:30 am
Një jetë e kushtuar pikturës. Është historia e piktorit vlonjat Avenir Troqe. Gjithçka ka nisur që kur ai ishte i vogël. Është rritur duke parë të atin, i cili ishte mjek me profesion, por pikturën e kishte pasion. E ajo që filloi si një dëshirë për artin është kthyer në një punë gati 40-vjeçare.
Thotë se Vlora e frymëzon dhe e vlerëson si një nga qytetet më të bukura në Shqipëri. Por nuk harron të përmendë as fshatin ku ka lindur, Tragjasin.
40 vite pasion për pikturën nuk janë pak. Dhe artin e hedhjes në telajo e ka ushtruar në disa teknika. Disa prej tyre normalisht i ka edhe më të preferuarat.
Ajo që nisi fillimisht me skica, tani është shtrirë edhe te skulptura. Aveniri na tregon se çdo vit merr pjesë në aktivitete të ndryshme dhe panaire që zhvillon në qytetin bregdetar. Për veprat ka interes kryesisht nga vizitorët e veçanërisht të huajt të cilët vijnë në Vlorë për të pushuar.
Pasioni dhe puna e tij në pikturë i kanë kaluar kufijtë. Ai ka përfaqësuar vendin tonë edhe në organizime në Kinën e largët.
Shprehet se i vjen keq për brezin e ri të cilët i shikon larg nga arti. Aveniri është i mendimit se autoritetet duhet të bëjnë më shumë për të nxitur të rinjtë që të merren me art e veçanërisht me pikturën.
Piktori vlonjat thotë se nuk do të ndalet dhe do ta vijojë punën në art në studion që ka ngritur në qytetin bregdetar./KlanNews/ KultPlus.com