11 Nëntor, 2023 - 7:03 pm
“Një kafe me Valterin”, titullohej ekspozita dedikuar jetës dhe karrierës së Valter Gjonit organizuar sot te “Reja”, përballë Galerisë së Arteve në kryeqytet.
Miq, bashkëpunëtorë dhe të afërm, kanë përkujtuar momentet më të bukura të aktorit, regjisorit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur, Valter Gjoni i cili u nda nga jeta në nëntor të vitit 2020.
Që prej vitit 1991, pas një përvoje pune intensive në institucionet e artit dhe medies në kryeqytet, Valter Gjoni punoi pranë Bashkisë së Tiranës deri fund të jetës së tij duke mbajtur një sërë detyrash, si drejtues i sektorëve që lidhen me artin, kulturën, ceremonialin e qytetit dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Ai punoi me përkushtim dhe profesionalizëm prej 4 dekadash në Bashki, duke lënë gjurmë në historinë e kryeqytetit.
Në ekspozitën e sotme fotografike, u sollën momente nga rrugëtimi i tij që nga rolet e para si aktor por edhe regjisor në Trupën Artistike të Ushtrisë, në Teatrin Popullor (Kombëtar), pranë Kinostudios “Shqipëria e Re” dhe Radio Televizionit Shqiptar.
Rreth 60 role në teatër dhe estradë, 8 role në kinematografi apo edhe 5 filma dokumentar janë vetëm disa disa nga gjurmët që Valter Gjoni i ka lënë artit shqiptar.
Publicisti Gjoni është autor i më tepër se 10 librave, i shumë artikujve kulturor, artistik, problematik, informativ e historik në gazeta, revista, emisione televizive dhe botime të veçanta ndërsa është vlerësuar edhe me çmime kombëtare e ndërkombëtare.
Duke gërshetuar përvojën e tij administrative, gazetareske dhe artistike jashtë funksioneve të tij zyrtare, Gjoni ka realizuar rreth 20 ekspozita dhe disa botime tematike për vlerat historike, kulturore dhe njerëzore, kryesisht për Tiranën.
Për kontributin e tij, Valter Gjoni është vlerësuar edhe me tituj nderi, ku titulli më i lartë është Kalorës i Urdhrit të Meritës së Republikë Franceze, Urdhri “Naim Frashëri” dhe “Mirënjohja e Qytetit të Tiranës”. /KultPlus.com
Ekspozita “Një kafe me Valterin”; Foto: Agim Dobi