5 Korrik, 2018 - 7:05 pm
Katër vajzat e grupit artistik HAVEIT kanë paralajmëruar ekspozita dhe pjesëmarrje të reja artistike në Kosovë dhe jashtë vendit.
Grupi i cili performancën e parë e pati në vitin 2011-të, po vazhdon kohë pas kohë të thumbojë realitetin kosovar në forma të ndryshme artistike.
Hana, Vesa, Lola dhe Alketa kanë disa performanca dhe punë artistike të cilat po i sjellim në kujtesë sot.
Me rastin e 8 marsit, në vitin 2015-të vajzat publikuan videon ku shihen duke e gatuar KANUNIN – librin me të cilin u rregulluan çështje të ndryshme ndër shqiptarë, me vite e vite. Një libër që edhe sot sjellë qëndrime kontraverze, sidomos rreth trajtimit që i bën grave. Katër vajzat e gatuajnë, me dorëza, me t`hollues, me shkrepsë, dhe KANUNI kthehet në lëng të zi.
Puthja e njohur e vitit 2014-të është cilësuar si provokimi më i madh i HAVEIT. Në një shoqëri ku homofobët lulëzojnë, vajzat u puthën në qendër të qytetit për të treguar se në një ditë si Shën Valentini i dashurisë, dashuria lejohet pa dallim në gjini.
Billbordet u realizuan në marsin e këtij viti, ndërsa HAVEIT goditi kësisoj shoqërinë e cila lejon burrat ti vrasin e keqtrajtojnë gratë e tyre. Emrat e Diana Kastratit dhe Zejnepe Bytyqit – bashkë me EDHE SA THIRRJE TË HUMBURA qëndruan për disa kohë në billbordet në qendër të Prishtinës. HAVEIT tentoi prapë të kundërvihej dukurisë së vrasjes së grave në Kosovë, inspiruar nga filmi ‘Three Billboards outside Ebbing, Missouri’
Një video afër Gjergj-Kastriot Skënderbeut, me vajzat që e rruajnë veten, ose patriarkatin shqiptar. / KultPlus.com