Një vello, një këmishë nate e një prezervativ, gjësendet që flasin për zemrat e thyera

4 Maj, 2018 - 11:08 am

Alberina Haxhijaj

Historitë e zemrave të thyera erdhën sonte në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës. Hapja e kësaj ekspozitë shënoi hapjen e aktiviteteve kulturore në kuadër të shënimit të Ditëve të Evropës, shkruan KultPlus
Një qiri që kurrë nuk u ndez, një vello që nuk u vesh, një gjuhë që kurrë nuk u mësua, një ditar që mbeti i zbrazët, premtime të shkruara në letër, një këmishë nate, një palë çorape, një kondom. Kujtime të lidhjeve që nuk zgjatën për shkak të fatkeqësive që solli jeta, apo thjeshtë sepse njerëzit ndryshuan, harruan fjalët ‘do jemi se bashku përgjithmonë’.


Këto ishin vetëm disa nga elementet që përbënte kjo ekspozitë e realizuar në kuadër të projektit “MuseumofBrokenRelationships” themeluar nga Olinka Vištica dhe Dražen Grubišić dhe që në Kosovë erdhi me iniciativën e të rinjve kosovarë: Blerta Avdiu, Ilire Gashi, Kushtrim Fetahu, Diona Hoxha, Diellza Salihu, Rrezearta Jahiu dhe Tringa Kasneci.

Pikërisht këta të fundit i falënderoi edhe drejtori i Muzeut të Kosovës, SkenderBoshtrakaj, që në hapje të kësaj ekspozite. Punën e tyre e çmoi shumë edhe shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova.

“Është ekspozitë që unë besoj se inkurajon diskutim e reflektim, jo vetëm për brishtësinë e raporteve njerëzore por gjithashtu edhe për rrethanat sociale, kulturore e politike, që rrethojnë historitë e treguara. Lidhje të të gjitha llojeve e që i ndërlidhin njerëzit me rrëfime dashurie dhe besoj që të gjithë mund të ndërlidhemi me këtë”, tha ajo.

Tutje ajo diskutoi për fillimin e aktiviteteve në kuadër të shënimit të Ditës së Evropës. Gjersa bëri të ditur se përkrahja e Bashkimit Evropian në kulturë do të vazhdojë edhe më tutje e sidomos këtë vit i cili konsiderohet edhe si viti i kulturës në Evropë.

Në anën tjetër, ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq duke lidhur shënimin e Ditës së Evropës më ekspozitën, diskutoi për lidhjet duke përfshirë edhe lidhjet në mes të shteteve brenda Bashkimit Evropian, të cilat sipas saj janë të ndjeshme dhe kërkojnë punë dhe vëmendje.

“Ekspozita të tilla sjellin diçka të çmuar, diçka ndryshe. Jo gjithmonë duhet të flasim për tema të njëjta, të kaluarën, problemet. Prandaj, kjo është diçka që lidh njerëzit gjithandej, sepse flet për emocionet, thyen barrierat pasi që është diçka që të gjitha ne ndajmë së bashku, pavarësisht moshës, vendit ku jemi, apo në cilin kontinent”, tha ajo.

Ky projekt ka filluar 12 vite më parë dhe fakti se historitë nga Kosova do të jenë pjesë e këtij muzeu, e bënë të lumtur themeluesin e tij Dražen Grubišić.

“Ndonjëherë njerëzit mund të mendojnë që projekti është i dhimbshëm sepse flet për lidhjet që nuk kanë funksionuar, por për mua është thjeshtë një muze për dashurinë edhe pse ndoshta në një mënyrë ashtu të përmbysur”, tha ai.

Fakti që njerëzit kanë dhuruar gjërat që i kanë ruajtur deri tani është mbresëlënës edhe për Blerta Avdiun, pjesë e stafit organizues të ekspozitës. “Jemi falënderues të gjithëve për mbështetjen që na e keni dhënë gjatë kësaj rruge. Me këtë nuk dua të them vetëm mbështetjen financiare, por gjithashtu edhe individët të cilët janë ulur së bashku me ne dhe na i kanë dhënë idetë më të mira. Po ashtu edhe të gjithë ata që i kanë dhuruar historitë e tyre, pavarësisht se një ngjarje e tillë po mbahet për herë të parë në Kosovë”, tha ajo.

Në kuadër të kësaj ekspozitë janë prezantuar 20 histori nga Kosova por dhe histori nga vendet e të tjera të cilat tashmë janë pjesë e këtij muzeu. Ndërsa muajin tjetër ky muze do të udhëtoj në Shangai, atje si pjesë e tij tani do jenë edhe historitë nga Kosova. /KultPlus.com



Të ngjajshme