29 Tetor, 2024 - 10:13 pm
Në galerinë ‘Qahili’, po vazhdon të jetë e hapur ekspozita “Njerëzit tek Njerëzit: Azia Qendrore”, që sjell për publikun shqiptar një përzgjedhje të artit nga Kirgistani. Kjo ekspozitë unike, e cila do të jetë e hapur deri më 4 nëntor, paraqet punime që nga stili nomadik deri te impresionizmi, realizmi, kubizmi dhe abstraksioni, të 18 artistëve nga Kirgistani, shkruan KultPlus.
Sipas Nita Qahilit, koordinatores së Galerisë Qahili, ky bashkëpunim u realizua falë një përpjekjeje të përbashkët ndërmjet galerisë dhe artistëve nga Kirgistani, të cilët janë tashmë pjesë e komunitetit artistik në Kosovë. “Ishte një bashkëpunim i ndërsjellë, që u inicua nga vet galeria e Kirgistanit dhe koleksionistët që tashmë jetojnë këtu,” shpjegon ajo.
“Në këtë ekspozitë paraqiten punimet e 18 artistëve nga Kirgistani, nga arti nomadik në atë impresionist, realist, kubist dhe abstrakt. Janë tema të ndryshme shoqërore që trajtohen në punimet e këtyre artisteve që shpesh reflektohet në zhvillimin e kulturës së vendit”, u shpeh Qahili për KultPlus.
Në vazhdën e projekteve të saj të ardhshme, Galeria Qahili ka planifikuar një sërë aktivitetesh për muajt në vijim.
“Do të mbahen puntoritë në kuadër të projektit ‘Jeta dhe Arti’ për fuqizimin dhe vetëdijësimin e grave ndaj kancerit të gjirit. Po ashtu, do te hapet ekspozita e artistit Fehim Huskovic me 13 nëntor si dhe ‘Hijet e Bardha’ në dhjetor”, u shpreh ndër të tjerash Qahili, duke shpalosur projektet e radhës së galerisë ‘Qahili’.
Ndërkaq, 18 artistët që kanë marrë pjesë në këtë ekspozitë janë: Momun Astar, Jylldyz Asangaly, Tynumov, Nurlan Kudabaev, Yuldash Nurmatov, Shimova Halida, Sarkyn, Kim Aida, Nyurguyna Innokentyeva, Sadyk, Alapai Abdykasymov, Berebin, Rasul Kochkorbaev, Ernis Bekjamov, Asmat Abdysadyr Yylu, Kanybek Davletov, Jakypov Jylkychy, Sheishanaliev./KultPlus.com