26 Tetor, 2017 - 5:41 pm
Nga Dr. Ermir Hoxha
Njeriu i ri, jehonë e figurës së mbinjeriut të Niçes, në realizmin socialist ndërtohet me kujdes nga “inxhinierët” e Makinës së Propagandës, i përkufizuar me qartë tek njeriu i punës, si shpirti i vërtetë i ndërtimit të “parajsës” së premtuar, ai patjetër që gëzon formate të ndryshme në vendet reciproke, apo siç shprehet Mircan: “Pavarësisht dallimeve mes varianteve kombëtare të tij, ku kryesore janë intensiteti propagandistik dhe riprodhimi i shumëfishtë ikonografik-realizmi socialist ngre në piedestal punën dhe drejtpërsëdrejti apo tërrthortazi, atë pushtet që vë punën dhunshëm në shërbim të vetes. Ndërkaq, në realitetin artistik shqiptar, deri në fillim të viteve ’50, figura e punëtorit, element esencial i tablove me temë pune, kishte “vuajtur” ato paqartësi strukturore, që vuante gati çdo temë tjetër.
Figura e gruas
Nis kështu edhe figura e gruas të zërë në art pozicionin e saj, ashtu si dhe në shoqëri, aq sa tablotë e realizuara me këtë temë, janë pothuajse të njëjta në numër, si për burra dhe për gra. Ajo që zë qendrën e tablosë në ara, uzina, fabrika e kantiere, ndërsa vizualisht paraqitet gati gjithnjë me uniformën e punës, pranë tornos, në fusha apo duke transportuar llaç.
Ato janë të reja, të shëndetshme, me fizik të lidhur, shpatulla të gjera e flokë të mbledhura nën shami. Të zhytura në vrullin revolucionar, shpesh ato paraqesin një sharmë tejet modest, pasi elementët minimalë të sensualitetit femëror, në to reduktohen në minimum, duke i shndërruar në krijesat e reja të revolucionit socialist: gra-punëtore-asensuale.
Figura e gruas së re propagandohet masivisht, si një dëshmi e forcës së imponimit të shtetit në ndërgjegjen e shoqërisë, ndërsa tek ajo nuk ka vend për dyshime morale të asnjë lloji, pasi si thoshte shprehja: “…degjenerimi moral është një hap larg degjenerimit politik”.
Njeriut të ri
E pas punëtorit femër apo mashkull, në skemën streiotipale të figurës së Njeriut të ri do të shtohej natyrshëm dhe nënprodukti i tyre, familja dhe fëmijët e shëndetshëm e të lumtur shqiptarë. Vet Enver Hoxha në tekstet e shumta të botuara kryesisht në vitet ’60-’80, i dedikon mjaft hapësirë familjes së re shqiptare. Ndërsa, në kushtetutën e vitit 1978 sanksionon: “Martesa dhe familja… (vihen) nën kujdesin e mbrojtjen e shtetit dhe të shoqërisë… (ndërsa) prindërit përgjigjen për mirërritjen dhe për edukimin komunist të fëmijëve”.
Në planifikimin dhe rimodelimin strukturor të shoqërisë, familja ruante një pozicion kyç, por si bërthamë e projektimit të idealeve më të larta morale e ideologjike, ajo duhej të distancohej nga familja patriarkale/fisnorë e para luftës… Pozicioni i gruas pa dyshim që mbetej ai më delikati, por me kujdesin e veçantë shtetëror ajo fitoi ngadalë pozicione në hierarkinë familjare, tashmë bazuar në dashurinë dhe respektin”.