15 Tetor, 2017 - 9:29 am
Njëzet vepra në pikturë dhe grafikë të realizuara nga piktorit i njohur Anastas Kostandini janë ekspozuar për publikun për herë të parë.
Nga Pogradeci piktori i njohur vjen këtë herë në Tiranë me disa prej punëve të tij që spikasin në temën historike. Me inaugurimin e Fondacionit M&M Ivanaj, me fokus edukimin dhe kulturën në Shqipëri është ekspozuar dhe koleksioni i vyer i pikturës me temë historike, që mban emrin e piktorit të njohur Anastas Kostandini.
Kjo ekspozitë është kuruar nga Ylli Drishti. Ai shprehet se është zgjedhur piktori Kostandini me veprat e tij sepse tema kombëtare, historike, ka spikatur në veprat e tij dhe këtë herë janë njëzet punime, që prezantohen për herë të parë. “Një fondacion, që ka në vëmendje arsimin dhe kulturën, promovimin e artistëve, ka një bibliotekë të madhe, ambiente që i shërbejnë rinisë dhe artistëve. Në kuadrin e inaugurimit të tij u mendua të kishim ekspozitën me veprat e piktorit Anastas Kostandini. Tema e tij është ajo historike, vepra me Skënderbeun, dhe disa punime në grafikë me ngjyra kushtuar kështjellave shqiptare. Janë njëzet vepra, që janë realizua kryesisht vitet e fundit, por ka dhe punime më të hershme nga krijimtaria e piktorit. Janë kështjellat shqiptare, figura e Skënderbeut, piktori ka trajtuar legjendat shqiptare”, pohon kuratori Ylli Drishti për ekspozitën. Sipas tij, temën historike piktori Anastas Kostandini e ka të dashur në veprën e tij ndër vite.
“Ndër piktorët që trajtoi këtë temë është Taso, i cili e ka të dashur në punët e tij dhe ai vazhdimisht e punon. Aktualisht ai ka një cikël punimesh kushtuar Skënderbeut. Është një autor i denjë i kësaj teme”, shton më tej kuratori Ylli Drishti. Ekspozita me njëzet vepra të realizuara nga piktori i njohur do të qëndrojë për publikun deri ditën e martë.
Piktori në aktivitetin krijues
Anastas Kostandini (Taso), lindi në Pogradec në 29 korrik të vitit 1954. Fillimisht, ndoqi studimet e shkollës së mesme në degën pikturë, në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë dhe më pas ndoqi studimet e larta në Akademinë e Arteve të Bukura po në kryeqytet ku dhe u diplomua në vitin 1978 për pikturë Monumentale dhe Kavalet. Në vitin 1981, mori pjesë si bashkautor në realizimin e mozaikut “Shqipëria” në Muzeun Historik Kombëtar dhe në vitin 1983, hapi ekspozitën e parë vetjake në qytetin e tij të lindjes. Ishte viti 1991 kur piktorit të njohur Anastas Kostandini, iu akordua titulli: “Piktor i Merituar” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe në vitin 2005, u shpall “Qytetar Nderi” i qytetit të Pogradecit. Pasi përfundon studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, një tjetër epokë nis në jetën e tij, ajo e ekspozimit të vazhdueshëm të veprave të realizuara. Kostandini ekspozon pikturat e tij, vit pas viti, në qytetin e lindjes, në Tiranë, në Ohër, Prishtinë dhe duke vazhduar më tej në Francë, Gjermani, SHBA etj. Merr pjesë vazhdimisht në ekspozita kolektive por të shumta në numër janë ekspozitat vetjake që ka realizuar. Tema të tjera të trajtuara në pikturat e Kostandinit janë piktura historike dhe heroike si edhe piktura të frymëzuara nga letërsia e Lasgush Poradecit dhe Mitrush Kutelit, dy mjeshtra të cilëve u ka dedikuar 4-5 ekspozita. Gjithashtu legjendat shqiptare, ritualet popullore, lokale dhe kombëtare si dhe festat dhe ceremonitë kishtare janë subjekte tërheqëse për Anastas Kostandin. (Marrë nga SotNews)./ KultPlus.com