31 Mars, 2023 - 9:23 pm
Nxënësit e shkollave “Bedrie Bebeziqi” dhe “Jusuf Puka” u bënë pjesë në punëtoritë e mozaikut.
Lajmin e bëri të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila u shpreh se, “të rritesh duke njohur trashëgiminë është një hap i sigurtë drejt së ardhmes”.
Kjo pjesëmarrje në këto punëtori u organizua nën kujdesin e projektit “Zhvillimi i Trashëgimisë së Durrësit me Bazë Kulturën Kreative”, zbatuar nga “Udhetimi i Lirë – Liberi di Viaggiare”, mbështetur përmes Programit të Granteve të EU4Culture.
Nxënësit përjetuan një eksperiencë të bukur mes mjeshtërve të mozaikut dhe historisë që fshihet pas tij.
Ekipi i UNOPS-it së bashku me skuadrën e restaurimit po punojnë për restaurimin e mozaikut në fasadën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar, një projekt madhor i mundësuar falë programit “EU4Culture”.
EU4Culture është një nga programet më të mëdha të trashëgimisë kulturore të hartuar nga Bashkimi Evropian për sa i përket numrit të monumenteve dhe fondeve të përfshira.
Programi EU4Culture synon të ndihmojë në përmirësimin dhe nxitjen e tërheqjes ndaj këtyre siteve./atsh/ KultPlus.com