21 Dhjetor, 2018 - 11:00 pm
Muzeu Historik Kombëtar, Polo Biblio-Museale e Provincës së Leçes, Muzeu Castromediano në Leçe dhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Itali çelën ditën e djeshme ekspozitën “Scanderbeg. Un eroe albanese in Puglia”.
Muzeu Historik Kombëtar u paraqit me objekte dhe libra kushtuar figurës së Heroit tonë Kombëtar si riprodhimi i përkrenares dhe shpatës së Skënderbeut, si edhe armë të asaj periudhe.
Kjo ekspozitë erdhi si frut i marrëveshjes ndërmjet Muzeut Historik Kombëtar, Museo Civico di Bari dhe Polo Bibliomuseale të Rajonit të Pulias nën kujdesin e Fondacionit Gramsci në Pulia, me qëllim që të fillohet promovimi i përbashkët i njohurive të iniciativave historike nëpërmjet përgatitjes së ekspozitave dhe promovimin e projekteve kërkimore, duke e imagjinuar Adriatikun jugor si një distrikt të vërtetë kulturor, në të cilin integrohen ndërmarrjet e nismave të përbashkëta të pranishme në territore të ndryshme, duke marrë pjesë së bashku me thirrjet europiane.
Ekspozita “Scanderbeg. Un eroe albanese in Puglia” është një mundësi e çmuar për të reflektuar mbi marrëdhëniet historike që Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu ka pasur me rajonin e Pulias dhe dokumentet unike që janë mbledhur nga pala italiane për këtë ekspozitë, të cilat na japin fakte të rëndësishme historikë për periudhën e Mesjetës. A.T.SH/ KultPlus.com