4 Shkurt, 2022 - 4:00 pm
“One Love Experience” u pagëzua ekspozita dedikuar ikonës së ndjerë të muzikës rege, Bob Marley, e cila u hap në galerinë Saatchi në Londër.
Në lidhje me ekspozitën ka folur e bija e Marley, Cedella, e cila ka thënë se Bob Marley ka pasur mision që t’i bashkojë njerëzit, të flasë për padrejtësitë si dhe të mundohet që të na bëjë ta duam njëri-tjetrin, përkundër asaj se kemi dallime.
Ekspozita “One Love Experience” është interaktive, dhe në të prezantohen krijimet artistike dhe fotografi. Në të zbulohet edhe lidhja e këngëtarit me Britaninë, për të cilën e bija e tij ka thënë se ai e ka dashur këtë vend.
Në ekspozitë shihet edhe një disko pa muzikë.
“Çdo sallë ka diçka ndryshe”, ka thënë Cedella. Sipas saj, nga çdo sallë që del, ndjen sikur me vete merr diçka nga Bobi.
Me këtë rast ka folur edhe kuratori i ekspozitës “One Love Experience” në Londër, Jonathan Shank. Ai ka thënë se emri i mesëm i birit të tij është Marley. Sipas tij, mesazhet për fuqi e barazi, si dhe inkluziviteti, gjithmonë kanë rezonuar me të.
Bob Marley vlerësohet njëri prej artistëve më të mirë të të gjitha kohërave, me shitje të mbi 75 milionë incizimeve në mbarë botën. Në vitin 1994, ai u vlerësua në Hollin e të Famshmëve të Rokenrollit, ndërkaq revista Rolling Stone e ka ranguar në pozitën e 11-të në listën e 100 artistëve më të mirë të të gjitha kohërave.
Marley në vitin 1977 u diagnostifikua me një lloj kanceri të lëkurës, që si pasojë e tij edhe vdiq në vitin 1981.
Ekspozita “Our love Experience” do të jetë e hapur deri më 18 prill 2022./ KultPlus.com