10 Maj, 2024 - 4:01 pm
Kryevepra operistike “Flauti Magjik” është ngjitur në skenën e teatrit “Aleksandër Mosiu” në Durrës.
E kompozuar nga Wolfgang Amadeus Mozart në vitin 1791, përralla e mbushur me simbolikë, magji, aventurë, me personazhe mistikë dhe meloditë e përjetshme, mblodhi rreth vetes spektatorë të grupmoshave të ndryshme.
Për artistët kjo ishte një përgjegjësi e dyfishtë. Nga një anë sjellja në jetë e partiturës së përjetshme të Mozartit me aftësi dhe saktësi, e nga ana tjetër përshtatja edhe me më të voglin e spektator.
Dritan Lumshi, dirigjent: I kemi sjellë diçka që të jetë shumë më pranë publikut. Të bëhet emë e kuptueshme dhe më afër tyre.
Ada Gurra, regjisore e Teatrit të Operas dhe Baletit: Është një mesazh shumë i bukur për fëmijët të cilët duhet gjithmonë të kuptojnë që e vërteta dhe të jesh i sinqertë dhe i pastër gjatë jetës tënde do të çojë gjithmonë drejt suksesit.
Artur Vera, solist: Ka qenë intensivisht prova për ta sjellë në shqip për fëmijët, të jetë sa më i kuptueshëm dialogu mes personazheve, por pastaj edhe pjesën e muzikuar ta bëjmë sa më të afërt për ta.
Albertina Del Bo, artiste: Ka qenë një eksperiencë fanatastike dhe një kënaqësi e madhe të punuarit me një grup të tillë artistësh. Jam ndjerë shumë e mikpritur dhe shumë e mbështetur. Do të kthehem me kënaqësi sërish në Shqipëri për të kënduar.
Një realizim i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, shfaqja erdhi për artdashësin durrsak për dy ditë rresht, e pas kësaj do të ngjitet në skenat e tjera të qyteteve./tvklan/KultPlus.com