3 Janar, 2019 - 2:30 pm
Fotografi Bujar Gashi duke pasur në zemër fotografinë dhe duke qenë anëtar i familjes së bijve të Sefës kishte dëshirë që secilit këngëtar të muzikës folklorike fotografike ti realizonte një portret.
Dëshira e tij ka bërë që shumë këngëtarë të pozojnë para tij, ndihmuar edhe nga Ministria e Kulturës.
Bujar Gashi i vendosur për të realizuar dëshirën e tij dhe me ndihmën e babait të tij Imer Sefës dhe xhaxhait Ibrahim Sefës ka përpiluar një listë në kërkim të personazheve që do i fotografonte e që prapa kishin një bagazh të pasur muzikor.
Disa prej fotografive janë realizuar në Prishtinë ndërsa disa të tjera nëpër oda e hapësira të improvizuara në vendet ku jetonin këta këngëtar.
Bujar Gashi ka treguar për KultPlus se ai deri tani ka fotografuar 27 këngëtarë të folklorit duke përfshirë kështu pothuajse gjithë territoret e Kosovës.
“Sa nga ta kemi sot, sa prej tyre u dëgjohet akoma zëri, e sa nga ta s’do i shohim më kurrë? Çfarë ndjej unë kur ne humbim njerëz të tillë, kur shoh fotografitë që dikur janë bërë nga unë? Çfarë ndjej unë kur ne humbim njerëz të tillë, kur shoh fotografitë që u kam bërë, kur shoh që ne varrimin e tyre përdoret fotografia që dikur ju bëra unë? Padyshim që ndihem keq dhe momentet që kalova me ta do me mbesin çdo herë pjesë e kujtimeve të mia me të mira”, është shprehur ai për KultPlus.
Më poshtë mund të gjeni disa fotografi të realizuara nga Bujar Gashi ku mund të shihni këngëtarët e folklorit: Osman Sefa, Ibrahim Sefa, Hashim Shala dhe Zejnullah Bajrami ./ KultPlus.com