3 Maj, 2018 - 11:00 pm
Gili Hoxhaj
Sonte ka filluar festivali i vetëm i Artit dhe i Arkitekturës në rajon – “Prishtina Arts and Architecture Festival” – PAAF 2018, i titulluar “Tingulli i tokës”, shkruan KultPlus.
Pas edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit, ky është festivali i dytë që po organizohet nga AAB. PAAF 2018 që po organizohet për herë të parë nga Kolegji AAB, ka të përfshirë në programin e tij shkolla të artit nga Italia, Sllovenia, Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria e Maqedonia. Edicioni i parë i këtij festivali përfshin një program nga fusha të ndryshme si: Arkitektura, Piktura, Dizajni Grafik, Dizajni i Modës, Muzikologjia dhe Filmi.
Fillimisht ky festival mblodhi shumë pjesëmarrës në natën e parë të tij, ndërsa si fillim u prezantuan dhjetëra punime të studentëve të Dizajnit të Modës. Këto punime të cilat ishin jo dhe pak në numër, studentët i kishin punuar nën monitorimin e ligjërueseve të këtij kolegji, Krenare Rugova dhe Albulena Borovci. Sfilata përmbante fustane e kostume të ngjyrave të ndryshme që fillimisht erdhën përmes ngjyrave më të ndezura duke kaluar në ato më të mbyllura. Përveç kreacioneve të studentëve në këtë sfilatë ishte e përfshirë edhe puna e vijuesve të Shkollës Profesionale Gjermane, nën monitorimin e Sellma Kasumovicit dhe Kaci Lleshit.
Në mesin e atyre që e ndoqën sfilatën ishte edhe kreatorja Yllka Brada e cila tha se edhe pse nuk po i njeh studentët, do donte që një pjesë e tyre ndonjë ditë edhe të jenë pjesë e stafit dhe projekteve të saj.
“80 % e punimeve ishin të mira, përjashtim bën një përqindje e vogël prej 20 për qind, e që është normale se prej një shkolle nuk mund të dalin të gjithë profesionistë, nuk dalin as në shkollat më të njohura të botës. Nëse shikohet nga ana kreative ishin shumë kreativë, kishte ide të reja dhe ç’është më e rëndësishmja shumica ishin veshje që vishen”, u shpreh Yllka Brada.
Zija Rexhepi, koordinatori i Festivalit e cilësoi si shumë të rëndësishëm faktin që për herë të parë u promovua puna e studentëve të Dizajnit të Modës, e cila u kompletua me punën e studentëve të Shkollës Profesionale Gjermane.
Rexhepi tha se synojnë që këtë festival ta bëjnë tradicional dhe qëllimi i tij është që t’i mbledhin të gjithë studentët e Fakultetit të Arteve dhe të Komunikimit Masiv në një festival.
“Synimi ishte që të përmbledhim punën e këtyre dy drejtimve që zhvillohen në AAB tash e dy dekada. Ne në vazhdimësi kemi pasur ekspozita, performanca të ndryshme, kemi pasur projeksione të ndryshme të filmave dhe kësaj here kemi vendosur që të gjitha këto t’i përmbledhim bashkë në një festival”, tregoi ai, ndërsa tha se veçantia e këtij festivali qëndron edhe në faktin që në seksionin e filmit kanë mbledhur punime te studentëve nga shkolla nga vende të ndryshme të botës.
Para se të hyje në Amfiteatrin e Teatrit, ishin vendosur punimet e ekspozitës së studentëve të Fakultetit të Arteve. Kjo ekspozitë e cila përfshin punime nga Arkitektura, Piktura, Dizajni grafik, Punimet e Konkursit në Branding dhe Projekte të Diplomave do të hapet e plotë më 18 maj.
Shyqri Nimani, dekan i Fakultetit të Artit dhe Arkitekturës tha për KultPlus se po mundohen të krijojnë gjëra atraktive dhe produktive që përfaqësojnë interaktivitetin e profesorëve dhe studentëve. Ai tha që përgjatë viteve të Kolegjit, tanimë janë në ndërtim të kurorës së suksesit.
“Ky festival ka një spektër të gjerë të disiplinave të Arteve Figurative, Muzikore pastaj Dramatike dhe kjo është jashtëzakonisht atraktive jo vetëm për studentët por edhe për publikun që njoftohet me to. Ata kësisoj mund të ndihen të kënaqur që mjetet të cilat i investojnë për universitete private siç është ky, po sjellin më pas suksesin në fusha të ndryshme” , u shpreh Nimani për KultPlus.
Më pas vizitorët u drejtuan drejt ekranit të madh në Amfiteatrin e Teatrit në AAB, aty ku u paraqitën filmat “Për ty atdhe”, i studentit Fitim Rrustemi, pastaj filmi “The station” i Leart Ramës, “The unknown” i Berat Asanit nga Maqedonia, “Maruska” i Hanna Szentpeteri nga Sllovenia dhe “Cistocs”, nga Neven Smarozic.
Dekanja e Degës së Komunikimit Masiv në Kolegjin AAB, Burbuqe Berisha, ka qenë një nga seleksionueset e filmave që u shfaqën sonte. Ajo tha se është kënaqësi që në këtë festival fillimisht do të paraqitet filmi i studentave të Kosovës, për të vazhduar me filma nga Bosnja dhe Hercegovina, Sllovenia dhe Shqipëria.
“Mendoj që ky është hapi i parë që e kemi bërë këtë vit dhe festivali do të ketë një formë tjetër vitin e ardhshëm”, u shpreh ajo.
Edicioni i parë i “Prishtina Arts and Architecture Festival” – PAAF 2018, do të vazhdojë edhe nesër. KultPlus ju sjellë edhe programin e ditës së nesërme. / KultPlus.com