21 Korrik, 2020 - 2:19 pm
Jeta Zymberi
E menduar si galeria më e vogël në Evropë, “Paper Gallery” e vendosur në objektin e selisë së vjetër të Radio Prishtinës, vjen si një mundësi e re për ekspozimin e veprave të artistëve, shkruan KultPlus.
Ndonëse një hapësirë e vogël, ajo është konceptuar në mënyrën më të mirë të mundshme, duke i ofruar kështu publikut një qasje shumë të mirë. Drejtori i galerisë, Gazmend Ejupi, është kujdesur që ta shfrytëzojë hapësirën në atë formë që vizitorët ta përjetojnë veprën e artit.
Me qëllimin kryesorë që të promovojë sa më shumë artin vizual, “Paper Gallery” vjen me një plan tre vjeçar ku tashmë janë planifikuar të gjithë artistët që do të ekspozojnë gjatë kësaj periudhe kohore.
Koordinatorja e galerisë, njëherit artistja Rina Statovci, ka treguar për KultPlus se çka e veçon këtë galeri nga të tjerat.
“Ajo çka na veçon neve nga galeritë tjera është se ekspozitat që ne i hapim zgjasin 3 muaj. Arsyeja pse e kemi marrë këtë vendim është për shkak që publiku të ketë një periudhë kohore më të gjatë për ta vizituar ekspozitën. Deri më tash gjithçka ka funksionuar shumë mirë”, ka treguar Statovci.
Hapësira e galerisë është një projekt i bazuar në atë mënyrë ku artisti e sheh fillimisht hapësirën dhe reagon në koordinim me të që të ketë mundësi ta shfaq punën e tij në mënyrën më të përshtatshme.
Ndërsa për vitin tjetër, është menduar një tjetër formë.
“Për vitin tjetër kemi marrë kuratorë të cilët e kanë parë hapësirën dhe i kanë zgjedhur artistët që përshtaten për hapësirën tonë”, tregon Rina.
E hapur në muajin shkurt, “Peaper Gallery” ka hapur deri më tash 2 ekspozita. Ekspozita e parë ka qenë nga artisti Gazmend Ejupi. E titulluar “Dead Dogs Walking”, ekspozita që për kuratore ka pasur Penesta Dika, është hapur më 19 shkurt dhe ka shpalosur një seri të pikturave të artistit. Ky projekt ka qenë i përkrahur nga “Help Kosovo”.
Ndërsa muaji korrik, ka mirëpritur ekspozitën e Fatmir Mustafa Karllo (Mosquito Vapor Trails) që për kurator kishte Artrit Bytyçin dhe shfaq disa instalacione të artistit. Kjo ekspozitë vazhdon të jetë e hapur deri më 3 shtator, por për shkak të situatës ë krijuar nga Covid-19, galeria për momentin qëndron e mbyllur.
Si ekspozita të para, publiku i ka mirëprit dhe interesimi i njerëzve ka qenë shumë i madh.
Statovci është shprehur se vizitorët e kanë pëlqyer shumë galerinë e sidomos mënyrën e ekspozimit të veprave.
“Edhe pse është galeria më e vogël në Ballkan, mënyra e ekspozimit është interesante, sepse i përdorim edhe disa hapësira të objektit si pjesë ekspozuese për veprat e artistëve.”
Situata që është krijuar nga Covid-19 i ka detyruar udhëheqësit që të marrim një tjetër vendim që puna e artistëve të jetë sa më afër publikut dhe galeria t’i përmbahet programit të saj.
“Jemi duke punuar për lansimin e platformës online ku njerëzit do të mund t’i shohin punët e artistëve. Gjithashtu jemi duke punuar për të sjellë ‘Online Talks’ me artistë ku mund të flasin më shumë rreth artit”, thotë Rina.
“Paper Gallery” këtë jave do të realizojmë një fotosesion me disa artiste që janë bërë pjesë e një artikulli nga Vice i-D, një nga revistat më të mëdha në botë. Artikulli i titulluar “Meet the Young Creatives of Kosovo” është një artikull në formatin pyetje dhe përgjigje i cili përqendrohet rreth gjashtë njerëzve të rijnë të cilët punojnë dhe krijojnë në Kosovë.
“Ne si galeri po mundohemi të ju bëjmë promovim artistëve të rijnë dhe të ju ofrojmë një platformë ku mund të publikojnë artin e tyre.”
Gjithashtu nëse situata e krijuar nga Covid-19 nuk ndryshon, atëherë të gjitha ekspozitat e planifikuara që të hapen në Galeri, do të hapen online në platformën e cila pritet të lansohet shumë shpejtë.
Kordinatorja e galerisë ka treguar për KultPlus se ekspozita e radhës që pritet të hapet është “Root Rot” nga Burim Berishës e që për uratore ka Nora Weller dhe pas saj është radha për ekspozimin e veprave të Artan Hajrullahut.
Në ekspozitat e planifikuara nga “Peper Gallery” janë përfshirë artistë vendorë, ndërkombëtarë, artistë të rijnë dhe të treguar tashmë.
Ndryshe nga galeritë tjera, galeria më e re në qytetin e Prishtinës nuk do të bëjë hapje zyrtare të ekspozitave. Duke dashur t’i ikin mënyrës së zakonshme që e praktikojnë të gjitha galeritë, “Paper” thjeshtë do të njoftojë përmes rrjeteve sociale për hapjen e ekspozitave dhe më pas publiku është i lirë të shkojë për vizitë çdo ditë të javës, nga e hëna deri të premten. / KultPlus.com