Parku Kulturor në Gjakovë këtë vikend vjen me program të pasur

20 Korrik, 2018 - 7:12 pm

Pas suksesit dhe pjesëmarrjes masive të audiencës gjatë koncertit të duos muzikore Shpat Deda dhe Armend Xhaferi, si dhe gjatë premierës në Gjakovë të filmit të shkurtë dokumentar “Ferdonija”, ky vikend poashtu ka një program të mbushur me aktivitete në Parkun Kulturor “Ali Podrimja” në Gjakovë.

Të premten, me fillim prej orës 21:00 shfaqet filmi artistik “Ëngjëjt janë larg” si premierë në qytetin që është realizuar shumica e filmit me regji të Gjergj Xhuvani dhe bashkë-producent Fatmir Spahiu.

Pastaj të shtune me fillim prej orës 20:00 planifikohet një ngjarje e rëndësishme me rastin e përvjetorit të 6-të të ndarjes nga jeta të një prej poetëve më të njohur të kombit tonë, Ali Podrimja. Një natë poetike ku do të lexohen poezi nga veprimtaria e madhe e shkrimtarit. Vikendi do të përfundojë të dielën me pritjen e mysafirëve nga Peja, përkatësisht Festivalit të Animacionit Anibar, të cilët do të prezantojnë programin “Anibar on Tour”.

“Jemi fatlum për veprat që ka lënë pas poeti madhështor Ali Podrimja, prandaj edhe nata poetike e planifikuar për këtë të shtune ka për qëllim të përkujtojë shkrimtarin me leximin e poezive të tij” thotë Ednor Hoti, njëri nga organizatorët. “Secili nga pjesëmarrësit, dashamirë të shkrimeve të Ali Podrimja, do të ketë mundësinë të lexojë dhe të përmend kujtimet me të, me qëllim të mbajmë gjallë ndër gjenerata gjenialitetin e tij artistik.”

Ngjarjet e këtij viti në Parkun Kulturor “Ali Podrimja” në Gjakovë përkrahen nga projekti “Culture for Change” (BE) i implementuar nga Qendra Multimedia dhe Instituti Goethe, si dhe Ministria e Kultures, Rinise dhe Sportit bashkë me Drejtorinë Komunale në Gjakovë për Rini Kulturë dhe Sport. Filma vendorë po shfaqen në partneritet me Qendrën Kinematografike të Kosovës.

Java mbyllet me shfaqjen e filmit “The Divine Order”, të dielen me 15 korrik, në bashkëpunim me Kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë. Një komedi dramatike që trajton të drejtat e grave në Zvicër në vitet e 70’. Të gjitha këto ngjarje fillojnë prej orës 21:00.

“Jemi shumë të lumtur që Parku Kulturor po kthehet në një traditë për qytetin e Gjakovës dhe adhuruesit e filmit dhe kulturës, të cilët edhe këtë vit po na ndjekin në numra impresionues. Pas më shumë se 30 ngjarjeve të organizuara vitin e kaluar, edhe këtë vit kemi nisur me shumë dinamizëm nga muaji qershor” thotë Arbër Lleshi, njëri nga organizatorët. “Këto nuk do të jenë aktivitetet e vetme normalisht, pasi planifikojmë të kemi shumë tjera deri në fund të shtatorit, me shpresën që shpejtë tentimet tona të kemi një qendër të mbyllur që funksionon tërë vitin do të jetësohen.”

Ky projekt organizohet nga OJQ “DU ART”, i përkrahur nga Komuna e Gjakovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Dokufest. Për më shumë informata kërkoni “Parku Kulturor” në rrjetet sociale./KultPlus.com

Të ngjajshme