‘Pas kujtesës’, ekspozita që sjell kujtimet dhe traumat e luftës përmes brezit të pasluftës

15 Janar, 2025 - 10:26 pm

Vjollca Duraku

“Pas kujtesës” është një ekspozitë e veçantë me rrëfime të pjesëmarrësve të cilët tregojnë kujtime që në të vërtetë nuk i kanë jetuar, që është hapur sonte në hapësirën e themeluar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, në kuadër të objektit të Bibliotekës “Hivzi Sylejmani” nga etnologia Zanita Halimi, e cila është kuruar nga Blerta Hocia, shkruan KultPlus.

Një libër i djegur që ende mbanë aromë lufte është eksponati i parë në kthinën e hapësirës ekspozuese, që shpalos ngadalë kujtimet e një çerek shekulli më parë për të gjithë ata që e kanë përjetuar luftën e fundit në Kosovë, ku përmes tij vijnë e bëhen dëshmi e ngjarje të gjalla mbi këtë të kaluar që emocionon njëjtë edhe ata që nuk e kanë përjetuar luftën me lëkurën e tyre.

Më tej, një orë-radio që në atë kohë ka qenë mediumi kryesor për t’u informuar mbi ngjarjet e luftës, një sini (tepsi) me të cilën është servuar ushqimi gjatë luftës nga një familje, copëza gazete, ditar, e fotografi të ndryshme janë eksponate të tjera të ekspozitës, përmes së cilëve Labeat Elshani, Gresa Marmallaku, Olisa Cekaj, Emnesa Rukiqi, Rea Mahmutdemaj, Miodrag Denic, Arlind Hyseni, Adelina Berisha dhe Qëndresa Fazliu sjellin emocionet e tregimeve familjare përmes videove 60-të sekondshe, ku mënyra e të rrëfyerit si dhe ndjeshmëria për këto tregime shpreh qartë atë se si trauma iu është bartur edhe atyre sikur të ishin pjesë e luftës.

Sipas organizatoreve të ekspozitës roli i familjes merr vëmendje si një hapësirë e rëndësishme për përcjelljen e kujtesës.

“Në shumë dhoma të shtëpive gjenden objekte që lidhen me të kaluarën, ofrojnë dëshmi të tingujve të maktheve, të lotëve, të dhimbjeve që i kanë rezistuar kohës për të ofruar dëshmi.

“Postkujtimi” nuk është një lëvizje, metodë apo ide, është një strukturë e përcjelljes së njohurive traumatike ndërmjet brezave, është pasojë e kujtimit traumatik. Në këtë rast, kjo kujtesë brezash del në publik si një arkivë e përbashkët tregimesh që dëshmon lidhjen mes së shkuarës dhe së tashmes, midis brezit të dëshmitarëve e të mbijetuarëve dhe brezit pasardhës”.

Kuratorja e ekspozitës, Blerta Hocia, në hapje të ekspozitës “Pas kujtesës” ka thënë se ky projekt ka ardhur si rezultat i thirrjes për projekte artistike që në fokus ka ballafaqimin me të kaluarën.

“Ju falënderoj që jeni prezent në këtë hapësirë të themeluar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, që shërben për memorializimin e të kaluarës dhe veçanërisht në ofrimin e një hapësire për krijuesit, autorët artistët që kanë në fokus në punën e tyre, ballafaqimin me të kaluarën. E tillë është edhe ekspozita që e prezantojmë sot. Kjo ekspozitë vjen si rezultat i thirrjes për projekte artistike që ka në fokus ballafaqimin me të kaluarën të cilin ne çdo vit e hapim si thirrje për artistë dhe autorë të disiplinave të ndryshme. Sonte, e hapim ekspozitën nga Zanita Halimi “Pas kujtesës” që hulumton në brezat e rinj, në brezat e lindur pas luftës. Interesantja e kësaj ekspozite është se të gjithë pjesë marrësit e intervistuar tregojnë për kujtime që me të vërtetë nuk i kanë jetuar” ka thënë kuratorja Hocia.

Ndërkaq, autorja e ekspozitës Zanita Halimi ka thënë se pjesa më e rëndësishme e këtij projekti janë të rinjtë, të lindur pas luftës që kanë pranuar që rrëfimet e tyre familjare t’i bëjnë publike.

“Jam ndier e nderuar që rrëfimet e tyre të lindura në hapësirën e quajtur familje të barten dhe të vijnë te një audiencë shumë e gjerë. Falënderoj Labeatin që ka sjellë librin e djegur që ende mban erë lufte, ta prezantoj në këtë ekspozitë, po ashtu Gresën që me një fotografi interesante mjaft unike që mbart me vete një kod unik në bazë të të cilit familja e saj të jetë e bashkuar. Falënderoj edhe Olisën për orën-radion me të cilën janë informuar për ngjarjet e luftës, Qëndresën që ka sjellë një sini në të cilën servohej ushqimi që i ka bashkuar familjet edhe para luftës, por edhe gjatë luftës. Gjithashtu Enesën, që na ka sjellë pjesë nga ditari i gjyshit të saj që e shkruan edhe për lindjen e saj. Arlindi i cili ka lindur në Norvegji na sjellë copëz gazete që e tregon historinë e lindjes së tij. Miodrag-i që na sjellë një fotografi mjaftë interesante të nënës së tij infermiere që ka shërbyer në Klinikën Universitare të Kosovës”, është shprehur autorja Halimi.

Autorja më tej është shprehur se në pyetjet e vajzës së saj 11 vjeçare mbi luftën, përvojën dhe mënyrën e jetesës së atëhershme e sheh rëndësinë e transmetimit të këtyre rrëfimeve gjeneratë pas gjenerate.

“Reja është lindur dhe rritur duke i parë rrënojat e kullës në të cilën ka jetuar familja e saj. E falënderoj edhe Adelinën që na sjellë një foto që në dukje nuk ka shumë peshë, por është shumë me vlerë për familjen e saj, e cila ka qenë e strehuar në shkollë, por flet edhe për solidaritetin. Ekspozita është realizuar në formë të hulumtimit”, ka thënë autorja e cila, u shpreh e bindur se ky lloj hulumtimi do të vazhdojë edhe më tutje.

“Ekspozita “Pas Kujtesës” përshkruan marrëdhënien që ka patur brezi i fëmijëve të lindur pas luftës me përvojat e plota, shpesh traumatike, që i kanë paraprirë lindjeve të tyre. Pra, me përvojat që ata “kujtojnë” vetëm me anë të tregimeve, imazheve dhe sjelljeve mes të cilave ata u rritën. Këto përvoja iu transmetuan atyre aq thellë dhe me emocion saqë, dukej se përbënin kujtime më vete”.

Kjo ekspozitë është mbështetur nga: Konfederata Zvicerane – Departamenti Federal i Zvicrës për Punët e Jashtme dhe NED, dhe do të qëndroj e hapur për një muaj për vizitorë./ KultPlus.com

Të ngjajshme