Pas mbulimit të gurëve në Fakultetin e Arteve, reagon dekani Agim Selimi

20 Shkurt, 2020 - 10:34 am

Objekti i Fakultetit të Arteve shihet që po merr një pamje tjetër, dhe një ndërhyrje e tillë ka nxitë reagime te qytetarët e Kosovës, shkruan KultPlus.

Gurët e këtij objekti, që kanë qenë edhe si pjesë identifikuese e këtij objekti janë duke u mbuluar me stiropor, dhe ky investim shihet të jetë një humbje e origjinalitetit të këtij objekti.

Agim Selimi, drejtor i Fakultetit të Arteve ka shpjeguar për KultPlus në lidhje me këtë ndërhyrje, dhe sipas tij, ky investim është duke u bërë prej Bankës Botërore.

“Është investim i Bankës Botërore, njëjtë është investuar edhe në Shkollën e Muzikës dhe në disa objekte të tjera të fakulteteve”, ka thënë Selimi.

Ai shpjegon se kjo ndërhyrje është duke u bërë për ruajtjen e energjisë në objekt, ku janë edhe duke u mbuluar gurët e këtij objekti.

“Por faza tjetër është që do të jetë një lloj imitimi i këtyre gurëve”, ka thënë Agim Selimi, i cili shpjegon se ai nuk është pyetur për këtë ndërhyrje, sepse një vendim i tillë është marë  më herët, jo në kohën prej se e udhëheqë këtë fakultet.

Selimi ka shtuar se nuk e di kohën se kur do të përfundoj ky intervenim, dhe sipas tij, puna brenda këtij objekti është duke u zhvilluar normalisht, sepse punët janë duke u kryer vetëm në pjesën e jashtme./KultPlus.com

Të ngjajshme