Pasurim i kartelave elektronike për artefaktet e Muzeut Etonografik në Berat

23 Dhjetor, 2021 - 11:04 pm

Hulumtimi e dokumentimi shkencor i artefakteve është pjesë e rëndësishme e misionit të Muzeut Etnografik në Berat.

Qendra Kombëtare e Muzeumeve në Berat bën të ditur se “përgjatë një viti në Muzeun Etnografi krahas kartelës fizike, për çdo artefakt të fondit të muzeut u bë kartelizimi , përditësimi e pasurimi i kartelave elektronike”.

Sipas QKM Berat, kjo procedurë u bë sipas një formati të ri të miratuar nga Institutit Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore, gjë që do të vazhdojë në mënyrë permanente edhe në vitin 2022.

Muzeu Etnografik ka një koleksion të pasur prej 1300 objektesh, është dëshmi e rëndësishme e kulturës, traditës interesante e të pasur të trevës së Beratit.

Në katin përdhes një rrugicë e improvizuar e pazarit mesjetar, paraqet nëpërmjet objekteve të ekspozuar zeje përfaqësuese dhe më të zhvilluara të trevës; qëndistarinë, argjendarinë, punimin e bakrit dhe veshje e zbukurime që flasin për nivelin aristokratik të jetës së shtresave të mesme e të pasura qytetare.

Në pjesën e hapur të hajatit janë prezantuar zeje që ushtroheshin në kushtet e shtëpisë për nevoja familjare. Hajati lidhet në mënyrë të natyrshme me pusin dhe oborrin ku janë të ekspozuar objekte gur gdhendjeje dhe qeramike.

Në katin e sipërm në mjediset e dhomave të banesës paraqitet mënyrën e jetesës, organizimi, traditat e zakonet në një familje qytetare të pasur në Mesjetën e Vonë./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme