Pasurimi i hapësires publike në Prishtinë, më 18 nëntor vjen instalacioni “How Long Is Now”?

11 Nëntor, 2022 - 7:45 pm

Instalacioni në hapësirë publike “How Long Is Now” apo “Sa gjatë është tani”, nga grupi artistik “Globalodromia FILOART” e kuruar nga Arta Agani, ka filluar të instalohet në qendren e Prishtinës, në fasadën e ndërtesës H2 në sheshin Zahir Pajaziti, shkruan KultPlus.

Kjo vepër do të inaugurohet më 18 nëntor me fillim nga ora 12:00, në Sheshin “Zahir Pajaziti” para ndërtesës “Treska”.

Grupi Globalodromia FILOART shfaqet në Kosovë pas disa ekspozitave dhe organizimeve të mëhershme, ku për herë të parë FILOART ekspozon në vitin 1987 në hapësirat e “Boro dhe Ramizit” të atëhershëm, qendrës së rinisë dhe sportit të sotme, me ekspozitën “Kjo nuk është ekspozitë por e kundërta e saj” atë që lirisht mund ta quajmë ekspozita e parë konceptuale në Kosovë.

Projekti HLIN për herë të parë është realizuar në vitin 1997 në Berlin si instalacion drite, dhe pas disa ekspozitave rradhaz, shfaqet në Prishtinë në vitin 2001 në ekspozitën NOW që u hap si kolaboracion i artistëve Kosovarë dhe Berlinas në Galerinë e Arteve të Kosovës.

Në Berlin instalacioni qëndroi prej vitit 2006 deri 2019 I shkruar në fasadën e ndërteses Tascheles. Paralelisht në vitin 2019 u ekspozua pamja e fasadës me instalacion edhe në Galerinë Kombëtare të Kosovës gjatë ekspozitës “GROUPING – MOVING – SPREADING” ku edhe filloi bashkëpunimi me kuratoren.

Qysh atëhere lindi ideja që instalacioni të realizohet në Prishtinë me një dimension të ri duke tërhequr një tangjentë lidhëse mes Berlinit dhe Prishtinës, duke arritur të realizohet definitivisht në Nëntor të vitit 2022.

Instalacioni në fjalë ka për qëllim të pasurojë hapësirën publike të qytetit të Prishtinës me një vepër të re arti e cila e bën këtë pjesë edhe pikë interesi të qytetit meqë edhe gjendet në një pjesë shumë të frekuentuar.

Instalacioni përbëhet prej fjalisë HOW LONG IS NOW (Sa gjatë është tani), shkronja me dimensione të mëdha të vendosura në një lartësi prej 12 metrash, të punuara nga material reflektues. Ky material vetëm sa e plotëson domethënien e fjalisë e cila ka për qëllim të nxitë mendimin kritik te qytetari i Prishtinës, dhe ka një dedikim gjithëpërfshirës.

Si çdo vepër konceptuale e FILOART, edhe kjo vepër i adresohet individit dhe shoqërisë duke i nxitur ata të rishikojnë aspektin kohor dhe hapësinor momental në nivelin individual, socio-politik dhe ekonomik, duke e hapur mundësinë e ndryshimit të rrethanave drejt përmirësimit dhe pasurimit shpirtëror.

Shkronjat reflektojnë hapësirën përballë që është qielli i cili ndryshon brenda ditës por pamja e shkronjave poashtu ndryshon bashkë me reflektimin, varësisht prej pozitës së vëzhguesit. Me këtë theksohet temporaliteti dhe ndryshueshmëria e momentit, këndvështrimit dhe individit si pjesë e shoqërisë e cila poashtu është e ndryshueshme.

Këtë projekt e kanë mbështetur Komuna e Prishtinës, Goethe Institut Prishtinë si dhe Ambasada Gjermane Prishtinë.

Medoemos duhet të përmenden edhe banorët e hyrjes H2 me përkrahjen e tyre si dhe kompanitë XHAD dhe RRJETA për shërbimet e tyre të palodhshme./KultPlus.com

Të ngjajshme