15 Nëntor, 2018 - 12:49 pm
Më 20 nëntor në ora 19:00, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës bëhet hapja e ekspozitës “Peizazhet e Sejdi Kapllanaj”, përcjell KultPlus.
“Peizazhet e Sejdi Kapllanaj” na dërgojnë në një rrugëtim magjepsës me ngjyra të spektrit të ylberit që dhurojnë emocion shpirtëror. Duke kërkuar përmes stinëve të ngjyrave të piktorit Kapllanaj, gjejmë bukuritë natyrore që paraqiten në teknika të ndryshme që mbështeten në elemente të pa përfunduara siç janë: lisi, malet, fusha dhe kullat.
Janë dy elemente më të rëndësishme në pikturën e Kapllanajt. I pari, ka të bëjë me pikturimin linear që nënkupton pikturim paralel të një vije të drejtë të ngjyrave në cikle dhe i dyti, është ndërtimi i pikturës në shtresimin e ngjyrave mbi ngjyra që nënkupton shtresimin e saj, të cilat janë të veçanta si teknikë e shkollës italiane.
Mesazhi i kësaj ekspozite është kryesisht një stinë vjeshte në të cilën ka histori përmbajtjesore të popullit shqiptar. Në shumicën e punimeve është trajtuar lisi, erërat dhe furtunat e ndryshme natyrore që rrahin lisin, e i cili megjithatë më fortësinë e tij qëndron i pa lëkundur. Në këtë kontekst, e gjithë ekspozita thjesht lidhet me furtunën e rrjedhave historike të popullit shqiptar.
Ekspozita përmban rreth dyzet punime, pikturë në teknikat vaj dhe akril, të realizuara viteve të fundit dhe në kuadër të një cikli të vetëm, peizazh./ KultPlus.com