15 Tetor, 2017 - 3:58 pm
Në organizim të galerisë së Arteve në Pejë, u organizua kolonia e artistëve “Bjeshkët e Bardha 2017”.
Në një intervistë për gazetën lokale të Pejës “Zarfi Info”, drejtori i galerisë së arteve në Pejë Zymer Mulliqi, pasi e veçoi lartë punën dhe përkushtimin e pjesëmarrësve në koloninë “Bjeshkët e Bardha 2017 ”, tha se aktivitetet e tilla janë të mirëseardhura për artistët figurativ, sepse sipas tij, Peja gjithmonë ka pasur piktor dhe talent të shkëlqyeshëm.
“Po, aktivitetet e ngjashme gjithmonë janë të mirëseardhura për komunitetin artistik. Aktiviteti i kolonisë po ecën ashtu sikurse e kemi planifikuar në ditën e parë. Peja gjithmonë ka pasur talent dhe piktor të shkëlqyeshëm. Besoj dhe shpresoj shumë, se në një të ardhme të afërt, numri i artistëve figurativ të rritet dhe ta kenë përkrahjen e duhur institucionale”, tha drejtori Mulliqi, duke treguar se dyert e galerisë së arteve të Pejës, gjithmonë janë të hapura për promovimin e punës së artistëve figurativ të komunës së Pejës.
Në anën tjetër, drejtori i dikasterit për Kulturë, Rini dhe Sport në komunës së Pejës Engelbert Zefaj, tha se përkrahja e vazhdueshme që u është dhënë artistëve figurativ të Pejës, asnjëherë nuk është keqpërdorur,sepse siç tha ai, sukseset e tyre nuk kanë munguar asnjëherë.
“E vlerësoj shumë punën e artistëve, sepse ata janë vlerë e shtuar e Pejës. S’ka dyshim se artistët e Pejës dhe galeria e arteve i japin gjallëri qytetit tonë. Ne i kemi mbështetur vazhdimisht dhe ata nuk ka kanë zhgënjyer asnjëherë, por gjithmonë na kanë shpërblyer me suksese dhe me punën e tyre profesionale”, tha drejtori Zefaj, i cili shton se përkrahja institucionale asnjëherë nuk do t’ju mungoi artistëve të Pejës.
Mes tjerash, vlen të theksohet se e pranishme në koloninë e artistëve ishte edhe piktorja e merituar pejane Liridona Gjuka –profesoreshë e pikturës në shkollën e mesme të arteve “Odhise Paskali”. Sipas kësaj të fundit, kjo koloni është një mundësi e mirë komunikimi artistik për artistët figurativ dhe se aktivitetet e tilla janë tejet frytdhënëse.
Për fund, duhet shtuar se pjesëmarrës në koloninë e artistëve “Bjeshkët e Bardha 2017”, ishin piktorët nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi. Autor: Mangji Gashi./ KultPlus.com