31 Gusht, 2021 - 12:56 pm
Si sot, më 31 gusht 1931 u lind në Paris piktori, studiuesi, arkitekti dhe shkrimtari Maks Velo.
Pas lindjes së tij në Francë, familja Velo vendos të kthehet përsëri në Shqipëri, në Korçë ku Maksi kaloi fëmijërinë.
Me të mbaruar gjimnazin Maksi vazhdoi studimet në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit, pranë Institutit Politeknik. Më pas u specializua për arkitekturë. Në vitin 1960 ka marrë pjesë në projektimin e parë që u bë në Tiranë dhe më pas ka punuar pranë byrosë së projektimit të Tiranës. Vitet ’78-’79 ishin vitet më të vështira të jetës së tij pasi u arrestua dhe u dënua me 10 vite burg.
Ai ka vuajtur dënimin në burgje gjatë regjimit komunist dhe një pjesë e krijimtarisë së tij i është dedikuar dimensionit të lirisë në diktaturë. Gjatë viteve të fundit ka marrë pjesë gjerësisht në debatet për menaxhimin e hapësirës publike përmes artikujve publicistikë dhe aktiviteteve të tjera.
Velo është autor i një sërë botimesh si “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Betonizimi i demokracisë”, “Hetimi”, “Spaçi”, “Jeta ime në figura”, “Klubi Karavasta” “Përkthyesi”, “Jetë paralele”, etj.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave duke përkujtuar publikoi sot materialin e mbledhjes së organizatës së Lidhjes së Shkrimtarëve ku flitet për Maks Velon. / KultPlus.com