23 Shtator, 2017 - 12:45 pm
Edicioni i parë i Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor – Autostrada Biennale, përmbyllet sot në Prizren, përcjellë KultPlus.
Ky rrugëtim artistik me temën “E ardhmja e kufijve” mblodhi në Prizren 24 artistë nga vende të ndryshme të botës, me mbi 30 vepra arti që shndërruan qytetin e Prizrenit në një galeri të hapur dhe në shtëpi të artit bashkëkohor në Ballkan.
Autostrada Bienale organizon sot konferencën përmbyllëse për shtyp, duke filluar nga ora 17:30, te “MeetingPoint” (Pikëtakimi), në shtratin e Lumbardhit në Prizren.
Nga ky pikëtakim fillon vizita e fundit e organizuar për ekspozitën ndërkombëtare të artit bashkëkohor, që solli përvoja të reja artistike në hapësira të ndryshme në Prizren, përfshirë qendrën e qytetit, shtëpitë e vjetra, stacionin e autobusëve, lumin Lumbardhi, zonën e Marashit dhe Kalanë e Prizrenit.
Vizita do të përfundojë në Stacionin e Autobusëve, ku në ora 21:00 do të zhvillohet ceremonia përmbyllëse.
Edicioni i parë i Autostrada Biennale, me kurator Manray Hsu nga Taivani, në thelb të kohës sonë, është përqendruar në probleme të ndryshme kufitare.
Me temën “E ardhmja e kufijve”, adresoi me guxim nocionet e kufijve të dukshëm dhe të padukshëm, përcjellë me mesazhin e domosdoshmërisë për të qenë një shoqëri më e jetueshme kolektive. / KultPlus.com