11 Korrik, 2022 - 11:23 am
Në 27 vjetorin e masakrës së Srebrenicës, është hapur ekspozitë me fotografitë e grave që kanë humbur më të dashurit e tyre dhe pasi i mbijetuan masakrës së Srebrenicës të vitit 1995, në të cilën ishin mbi 8,000 të afërm të tyre meshkuj të vrarë, gra nga qyteti i vogël në Bosnjën lindore i kushtuan vitet e mbetura të jetës së tyre për të ritreguar traumën e tyre në botë, duke nderuar viktimat dhe duke i sjellë përgjegjësit e vrasjeve para drejtësisë.
(AP) – Ishin ato që është dashur të jetonin në një botë në të cilën u masakruan burrat, djemtë, vëllezërit, xhaxhallarët dhe nipërit e tyre. Janë ato që po luftojnë për t’u siguruar që bota as nuk do ta mohonte dhe as do ta harronte të vërtetën e asaj që ndodhi në Srebrenicë.
Ndërsa mijëra njerëz mblidhen në qytetin lindor të Bosnjës për të përkujtuar të hënën 27-vjetorin e gjenocidit të vetëm të njohur në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, roli vendimtar që gratë kanë luajtur në krijimin e një kuptimi global të masakrës së 1995 po njihet gjithashtu.
Një ekspozitë e përhershme fotografike e portreteve të grave të Srebrenicës u hap të shtunën në një qendër përkujtimore kushtuar më shumë se 8,000 viktimave të masakrës.
Të dielën është mbajtur konferenca ndërkombëtare e grave, të cilat kanë rrëfyer se si kanë gjetur forcën për të kërkuar drejtësi, pasi janë dëbuar nga shtëpitë dhe panë me sy vrasjen e më të dashurve të tyre.
“Pasi i mbijetova gjenocidit në të cilin u vra fëmija im më i dashur dhe burri im, dhe kur vrasësit e tyre filluan të mohonin se unë kisha fëmijë, ishte padrejtësia e vrasësve të tyre, refuzimi i tyre për të pranuar atë që bënë dhe për t’u penduar, që më shtyu të luftoj për të vërtetën dhe drejtësinë”, tha Munira Subashic.
Të afërmit e Subashiqit ishin në mesin e më shumë se 8 mijë burrave e djemve myslimanë, që për dhjetë ditë u masakruan nga forcat serbe të Bosnjës. Gratë boshnjake dhe fëmijët me autobusë u dëbuan nga qyteti.
Ushtarët serbë të Bosnjës futën trupat e viktimave në varre masive të bëra me ngut, dhe më pas gërmuan vendet me buldozerë dhe shpërndanë mbetjet midis vendeve të tjera të varrimit për të fshehur provat e krimeve të tyre.
Gratë dhe fëmijët boshnjakë u futën në autobusë dhe u dëbuan nga qyteti.
Por sapo lufta mbaroi, Subasiç dhe gra të tjera që kishin ndarë fatin e saj u zotuan të gjenin eshtrat e të dashurve të tyre, t’i kthenin në qytetin e tyre dhe t’i varrosnin atje.
Për ta bërë këtë, ato krijuan një organizatë, “Nënat e Srebrenicës”, e cila u angazhua në protesta në rrugë dhe aksione të tjera për të qëndruar në sy të publikut. Ato kërkuan që të gjenden varret masive, të identifikohen eshtrat dhe të dënohen përgjegjësit e masakrës.
“Shpesh njerëzit na pyesin se kush na ka përkrahur, kush na nxiti që prej fillimit. Mirëpo nuk ishte askush, ne e bëmë këtë vetë”, ka thënë Sehida Abdurahmanoviq, e mbijetuara tjetër e masakrës së Srebrenicës.
“Dhimbja është edukimi më i mirë dhe më i vështirë, por edhe më i sinqerti, sepse vjen drejtpërdrejt nga zemra”, shtoi ajo.
Në vitet e menjëhershme të pasluftës, turmat e serbëve të Bosnjës të zemëruar bënë çmos për të parandaluar gratë që kishin përjetuar gjakderdhjen të vizitonin varret masive të sapo gjetura për të kërkuar sende që dikur u përkisnin të dashurve të tyre. Për t’i frikësuar ato, turmat u rreshtuan përgjatë rrugëve, duke bërtitur dhe duke gjuajtur me gurë autobusët që transportonin gratë.
Por gratë vazhduan të ktheheshin. Për një kohë të gjatë, ato duhej të shoqëroheshin nga paqeruajtësit e udhëhequr nga NATO, por megjithatë ata refuzuan t’i varrosnin të vdekurit e tyre të identifikuar diku tjetër përveç në Srebrenicë.
Më në fund, në vitin 2003, autoritetet serbe të Bosnjës u dorëzuan nën presion dhe lejuan të mbijetuarit të përuronin varrezat përkujtimore për viktimat në qytet.
Deri më tani, eshtrat e më shumë se 6600 njerëzve janë gjetur dhe varrosur në varreza. Eshtrat e 50 viktimave të tjera, të gjetura së fundmi në varreza masive dhe të identifikuara përmes analizës së ADN-së, do të prehen atje të hënën.
Dhjetëra gra të Srebrenicës dëshmuan para gjykatës së OKB-së për krimet e luftës për ish-Jugosllavinë, duke ndihmuar në mbylljen pas hekurave të afër 50 zyrtarëve serbë të Bosnjës të kohës së luftës, të dënuar kolektivisht me mbi 700 vjet burg.
“Pasi më vranë burrin dhe qëndrova vetëm me dy fëmijët tanë, mendova se nuk do të mund të funksionoja, por dhimbja na mbajti në këmbë”, tha Abdurahmanovic.
Mirëpo duke jetuar në shoqërinë patriarkale, gratë e Srebrenicës pritet të vuajnë në heshtje dhe të mos përballen me liderët serbë që vazhdojnë ta mohojnë masakrën e vitit 1995. Në vend të kësaj, gratë ndryshuan jetën e tyre, duke krijuar grupe dhe duke rrëfyer përjetimet tek ata që ishin të gatshëm të dëgjonin, prej mbretëreshave, presidentëve, kryeministrave, diplomatëve dhe gazetarëve.
“Historia e asaj që ndodhi në Srebrenicë është shkruar me gurët e varrit prej mermeri të bardhë në varrezat përkujtimore, të cilat nuk do të kishin ekzistuar po të mos insistonim ne,” tha Suhra Sinanoviç, e cila humbi burrin e saj dhe 23 të afërm të tjerë meshkuj në masakër.
Ajo tha se autoritetet serbe të Bosnjës kishin nënvlerësuar gratë e Srebrenicës.
“Nëse, Zoti na ruajt, një luftë do të shpërthente përsëri në Bosnje, ndoshta (serbët) do t’i bënin gjërat ndryshe duke i lënë burrat të jetonin dhe duke vrarë gratë,” tha ajo. / KultPlus.com
(AP Photo/Armin Durgut)