9 Maj, 2020 - 6:02 pm
Bujar Meholli
9 Maji, e njohur si Dita e Evropës çdo vit është shënuar me lloj-lloj aktivitetesh dhe mesazhe që artistët shqiptarë kanë dashur t’i përçojnë, shkruan KultPlus.
Artistët kosovarë, duke qenë se Kosova ngeli vend i izoluar në mes të Evropës, çdoherë kanë shfaqur tendencën që përmes veprave artistike t’ia bëjnë me dije Evropës se populli shqiptar është evropian dhe si i tillë duhet të jetë i barabartë me popujt e tjerë të kontinentit.
Artistja e njohur Blerta Syla-Surroi ka publikuar sot në rrjetin social Facebok një punim të sajin mjaft interesant të vitit 2005 të titulluar “Nusja”, në të cilën ajo shfaqet e veshur si nuse me vello teksa mban flamurin e Evropës të varur poshtë.
Për KultPlus artistja tregon se si u frymëzua për ta realizuar këtë punim, i cili ishte pjesë e ekspozitës kolektive “Arti modern i kohës” në Galerinë e Arteve të Kosovës.
Ajo thotë se ndiente nevojën e të shprehurit nëpërmjet artit për të ardhmen e Kosovës.
“Si qytetare e këtij vendi dhe si artiste ndjeja nevojë të shprehesha nëpërmjet artit për të ardhmen e Kosovës”, thekson ajo duke vazhduar:
“Ideja apo dëshira ka qenë e thjeshtë. Të jemi shtet i pavarur dhe të jemi pjesë e integrimeve evropiane. Pra, të lidhim ‘martesë’ me BE-në. Ishte pyetje dhe preokupim i përhershëm e ardhmja e Kosovës. Kështu më lindi ideja e krijimit të këtij punimi, në të cilin dëshiroja ta gërshetoja traditën dhe modernen”.
Megjithatë, pasi kanë kaluar 15 vjet nga punimi i Syla-Surroit, Kosova vazhdon të mbetet e izoluar, megjithëse populli kosovar konsiderohet si më pro evropiani në rajon.
“Imagjinoni ku jemi sot 15 vjet më vonë dhe ende presim ‘mësit’ politik”, shprehet ajo për këtë paradoks.
Shumë artistë shqiptarë tashmë kanë ‘pushtuar’ skenat evropiane dhe botërore, duke dëshmuar se nga një popull siç jemi ne mund të dalin emra të shquar qoftë në art, kulturë, sport apo shkencë. Andaj porta e BE-së duhet të hapet për popullin shqiptar. /KultPlus.com