16 Korrik, 2018 - 10:50 pm
Përparim Rama është arkitekti i suksesshëm nga Kosova, që ka themeluar Grupin 4M në vitin 2004 , aty ku edhe ushtron rolin e drejtorit. Grupi 4M janë aktivë në zhvillim, projektim dhe ndërtimi, që veprojnë jashtë zyrës në Londër, Prishtinë dhe Irlandën e Veriut, shkruan KultPlus.
Arkitekti i suksesshëm nga Kosova, Përparim Rama është përzgjedhur që përsëri të jetë pjesë e jurisë së Win Awards apo të njohur World Interiors News Awards. Së fundmi ata kanë publikuar një intervistë e cila flet më shumë për punën e Ramës. Intervista tregon se si ai është vendosur në Londër gjatë kohës së Jugosllavisë, në vitin 1912 kur ishte vetëm 16 vjeçar, ndërsa lufta i kishte dëmtuar shtëpinë, për atë ka qenë e rrezikshme të kthehet, ndërsa ka qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar e cila thotë se “bukfalisht” e ka adoptuar atë duke i siguruar mundësinë për t’u edukuar dhe për të punuar.
Rama ka folur edhe për përfaqësimin e Kosovës në edicionin e 13-të të Bienales së Venedikut në vitin 2012, si përfaqësuesi i parë i Kosovës. Atë është pyetur për pavijonin e tij dhe për reagimet e publikut për atë që ka prezantuar. Lidhur me këtë Rama është shprehur se ka qenë një nder i madh që është kuratori i parë që ka përfaqësuar Kosovën në Bienalen e Arkitekturës në Venedik.
“Toka e përbashkët”, ka qenë tema. Kam dashur të hulumtoj se si shoqëria, kultura dhe tradita dhe besimet në përgjithësi kanë ndikuar në krijim e vendeve ku ne jetojmë. Qytetet tona janë një reprezantim shoqëror për atë se si qëndrojmë ne si shoqëri. Qytetet përfaqësojnë vetëdijen tonë shoqërore; tokën tonë të përbashkët”, është përgjigjur arkitekti me famë botërore Përparim Rama.
Po ashtu në këtë intervistë, Rama është pyetur edhe për ndikimin që ka pasur babai i tij i cili ka qenë po ashtu artistë dhe impakti që ka pasur gjyshi i tij në hapat e tij të parë.
“Kam qenë shumë krenarë me babanë dhe gjithçka që ka bërë ai. Kam kaluar orë e ditë në atelien e tij, duke e shikuar dhe duke u përpjekur të vizatoj ashtu siç bënte ai. Ai ishte shumë i zënë me aktivitetet dhe ekspozitat e tij brenda dhe jashtë vendit dhe orarit të tij akademik. Ai ka ekspozuar së bashku me Picasson dhe Chagall-in ndër të tjerë – në fund të viteve ’70, por gjithmonë kemi pasur probleme financiare. Ai më shtyu drejt shkencës, pasi ai gjithmonë u ankua se jeta e artistit është një jetë e varfër financiarisht, dhe që kur isha duke shkëlqyer në shkencë, ai më shtyu më shumë drejt fushës shkencore të matematikës dhe fizikës. Të dy nëna dhe babai im ishin të befasuar kur unë vendosa të studioja arkitekturën, duke u regjistruar fillimisht në shkencat kompjuterike”, është përgjigjur Rama, përcjellë KultPlus.
Ndërsa për gjyshin e tij, ai është shprehur se ka qenë një njeri i mrekullueshëm dhe i urtë, jashtëzakonisht i durueshëm dhe i ditur, ndërsa ka treguar ndikimin që ka pasur në fëmijërinë e tij.
“Dukej sikur ai kishte të gjitha përgjigjet e Universit. Mua më pëlqente të lexoja dhe shikoja figurat në librat që kishte të vendosura në rafte, që lidheshin me Universin. Pastaj dilnim dhe luanim me baltë dhe kashtë, me degë, duke mësuar se si bëhen tulla me baltë, si mund t’i bashkëngjisni materialet së bashku në mënyrë që të gjejnë përdorim më të madh”, është përgjigjur arkitekti Rama.
“Dhe po ishte dhe dashuria e nënës. Pa marrë parasysh se çfarë, ajo ishte gjithmonë aty, dhe e bëri çdo vend të ndihem si në shtëpi dhe i sigurt. Të gjitha gjërat e mësipërme janë shumë të fuqishme dhe përcaktojnë gjërat që kanë ndikuar në formësimin tim”, është shprehur Përparim Rama.
Në pavijonin e Kosovës në edicionin e 13-të të Bienales së Arkitekturës punimet e filigranit janë vendosur përkrah fotografive të disa godinave të njohura arkitekturale, për të paraqitur peizazhet kaotike nga qytetet e Kosovës së pasluftës dhe për të nxjerrë ide mbi zhvillimet politike në të ardhmen. Po aty ka qenë edhe vendosur edhe biblioteka kombëtare dhe hamami i Prizrenit./ KultPlus.com