Personat me nevoja të veçanta, fokusi i ekspozitës që u hap sonte në Prishtinë

19 Nëntor, 2019 - 8:52 pm

Arbër Selmani

Roni, 12 vjeçar, është djali më i buzëqeshur në tërë hapësirën ekspozuese. Ani pse nëna apo babai i tij duhet të rrugëtojnë me të nëpër këtë hapësirë, për ta manovruar karrocën ku Roni është i ulur, ai vazhdon të jetë i buzëqeshur dhe i gatshëm për muhabet.

Roni është njëri nga nëntë personazhet e ekspozitës ‘Embrace Me Kosovo’ e cila u hap sonte në Shtëpinë e Evropës – Europe House në Prishtinë. Roni e sheh veten në ato fotografi dhe sikur nuk i besohet, por e tregon me krenari veten me gisht.

Selimi, Medina, Isufi, Ndalorja, Albini, Aldi, Festimi dhe Drita i bashkohen Ronit në këtë ekspozitë të realizuar nga fotografja Karin Brongers. Brongers ka 1 vit e më shumë që qëndron në Kosovë, takohet me njerëz me aftësi të veçanta dhe jetën e tyre sonte e solli me anë të ekspozitës.

Njëjtë si emri i ekspozitës, secili kërkonte përqafimin tonë, e secila jetë e tyre kërkonte të përqafohej me ‘normalitetin’ e jetëve tona, të neve që nuk na shohin si njerëz me një aftësi të kufizuar apo të veçantë.

“Jam e lumtur që kam takuar këta njerëz kaq të mirë, kaq rrezatues, të cilët më pritën mirë mua dhe kamerën time” tregoi Brongers në hapjen e ekspozitës me fotografitë e nëntë personazheve të cilat vazhdojnë jetën në realitetin kosovar, sikur secili prej neve.

Brongers është përkujdesur që të sjellë me anë të fotografive atë që këta njerëz bëjnë në jetën e tyre të përditshme. Dikush punon si kamarier e dikush noton shumë shpejtë, dhe Karin ka qenë aty me këta njerëz të mirë, në rrugëtimin e tyre të suksesit por edhe dështimit.

Ekspozita e cila do të qëndrojë e hapur deri me 14 dhjetor në Shtëpinë e Evropës – Europe House në Prishtinë organizohet në bashkëpunim me Ambasadën e Holandës në Kosovës, Down Syndrome Kosova dhe Asociacionin Nacional të Autizmit në Kosovë. / KultPlus.com

Të ngjajshme