7 Dhjetor, 2018 - 10:25 pm
Për herë të parë në Kosovë është mbajtur një sfilatë mode, gjatë së cilës kanë sfiluar vetëm persona me nevoja të veçanta, për të dhënë mesazhin për integrimin e këtyre personave në shoqëri.
Elvana Shala, Ambasadore e Vullnetit të Mirë, njëherësh nikoqire e këtij organizimi, ka thënë se qëllimi i kësaj ngjarjeje ka qenë që të përçojnë një mesazh më ndryshe për respektimin e të drejtave e njeriut. Shala sqaroi se personat e përfshirë në sfilatë, kanë pranuar ftesën me shumë kënaqësi.
“Jemi mësuar që zakonisht të kemi konferenca e seminare të ndryshme, por mendoja që një revy e tillë do t’i bënte ata të ndihen vërtetë mbretër dhe mbretëresha të skenës dhe pse jo, të sjellin një model për shoqëritë e Ballkanit ndoshta. Prandaj, mendova që kjo është ideja më e mirë për t’i shfaqur ata në skenë dhe për t’i bërë të ndihen të integruar në shoqërinë tonë”, ka thënë Shala.
E pranishme ishte edhe ambasadorja e BE-së, Natalya Apostolova, e cila ka thënë se kjo ngjarje është inspiruese dhe njëherësh një mënyrë e mirë për të drejtuar fokusin te të drejtat e njeriut. Ajo po ashtu tregoi se e kishte pëlqyer idenë e Elvana Shalës për këtë organizim.
“Është hera e parë që ne po e financojmë një ngjarje mode. Shpresoj që ngjarja e sotme të rezultojë me sukses, dhe do të vazhdojmë të financojmë edhe shumë projekte të ngjashme. Njerëzit me nevoja të veçanta kërkojnë vetëm të drejtat e tyre, mundësi të barabarta dhe pjesëmarrje të barabartë në të gjitha aspektet e jetës private dhe publike. Për këtë, ata kanë nevojë që ligjet që veçse janë në Kosovë, të zbatohen”, ka thënë Apostolova.
Në këtë organizim mori pjesë edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili tha se përkrahja që i ka thënë MKRS-ja kësaj ngjarjeje, është obligim i tyre. Ai pohoi se pavarësisht se kjo çështje është kryesisht nën ombrellën e institucioneve përkatëse, MKRS-ja do të vazhdojë t’i përkrahë.
“Zakonisht nëpër sfilata jemi mësuar t’i shohim më të bukurit të bëjnë sfilata, por ja që sonte jemi dëshmitarë që një ngjarje të tillë dinë ta bëjnë edhe personat me nevoja të veçanta. Nuk ka ardhmëri e nuk ka qëndrueshmëri në një shtet, i cili nuk i trajton edhe personat me nevoja të veçanta sikur të gjithë qytetarët tjerë dhe po besoj që na ka ardhur mundësia edhe neve si institucione, si Ministri e Kulturës, të jemi të paktën në ngjarje e organizime të tilla bashkërisht”, ka thënë Gashi.
Ndërsa ambasadorja kroate në Kosovë, Marija Kapitanoviç tha se këta persona kanë nevojë të integrohen në shoqëri çdo ditë të jetës së tyre. Ajo tha se edhe ambasada kroate e ka përkrahur menjëherë këtë projekt, pasi për ta ka qenë një risi dhe organizim shumë i mirë.
“Dhjetori, do të thoja është muaji i të drejtave të njeriut, adresimit të dhunës në baza gjinore, njerëzve me aftësi të kufizuara, pra në një farë mënyre, ky muaj është i fokusuar te grupet e margjinalizuara, le t’i quajmë kështu. Dhe këto grupe kanë nevojë për më shumë vëmendje, më shumë fokus, për faktin sepse janë në një farë mënyre janë të margjinalizuar, dhe kjo vlen edhe për njerëzit me aftësi të kufizuara. Pjesëmarrja e tyre në aktivitete çdo ditë të jetës së tyre është edhe çelësi për mirëqenien e tyre”, ka thënë Kapitanociv.
Kurse ambasadori norvegjez, Per Strand tha se Kosova ka bërë progres në këtë fushë qysh nga pavarësimi. Ndër të tjerash premtoi se Norvegjia do të vazhdojë ta përkrahë këtë kategori në Kosovë. I pranishëm ishte edhe avokati i popullit, Hilmi Jashari, i cili tha se rastet e tilla po i vetëdijesohen edhe vetë institucionet, siç tha ai, ta shohin jetën edhe përtej ligjit. Jashari po ashtu tha se mesazhet e këtij organizimi janë mundësia dhe sfida. Për këtë ngjarje dizajnerë të njohur dizajnuan veshje ekskluzivisht për këtë ngjarje, të cilat më pas iu dhuruan personave që i prezentuan ato.
Përndryshe, 10 dhjetori shënohet ndërkombëtarisht si Dita e të Drejtave të Njeriut, dhe anë e mbanë botës shënohet me aktivitete të ndryshme. E një ngjarje e tillë, sivjet u mbajt për herë të parë në Kosovë. /KultPlus.com