12 Shkurt, 2018 - 8:00 pm
Alberina Haxhijaj
Muzeu Etnografik në Gjakovë në përvjetorin e 10-të tëPavarësisë së Kosovës, më përkrahje nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe të Komunës, ka bërë së bashku piktoren Argenita Fetahu dhe skulptorin Andin Bakija. Dy artistët gjakovarë do të hapin së bashku ekspozitën “Përtej shqisave” më 13 shkurt, në ora 12:00.
Ekspozita e realizuar në kuadër të Programit Artistik për vitin 2018 ka bërë së bashku këta dy artistë pikërisht për arsye se përmes punës së tyre ata shfaqin ndjenjat, çdo gjë lidhin me emocionet e tyre, shkojnë përtej shqisave.
Piktorja Argenita Fetahu për KultPlus tregoi se synim i saj është paraqitja e vetvetes në të gjitha format dhe madhësitë trupore duke e sfiduar veten, për të mësuar se cili është projektimi më i duhur për të.
“Që në fillim unë e prezantoj vetveten, punën, mendimet apo botën time, kam një fustan që i takon nënës sime, por që e mbaj të veshur unë, pasi që jam modeli, plus kësaj paraqitet në mënyrë të tërthortë një etapë e jetës sime. Nga pesha e rëndë e sfidave që më kanë përcjellë në jetë, nga syri i shikuesit mund të vërehet se diçka tek unë mungon. Ndjenja e boshllëkut është diçka që vërehet, prandaj unë përpiqem ta përcjell një mesazh përmes imazheve të mia”, u shpreh ajo për KultPlus.
Reduktimin e disa elementeve në piktura të saj ajo e bënë në mënyrë të qëllimshme, prandaj në çdo pikturë mungon diçka duke i bërë kështu shikuesit të kenë dhjetëra mendime lidhur me pikturat. Kurse të gjithë vendin në piktura e zë ngjyra dhe ana emocionale.
Veprat e saj kanë një pikë referimi, eksperiencën e vet artistit, ndjeshmërinë, raportin mes të shkuarës dhe të tashmes. Imazhet gjysmë reale dhe gjysmë abstrakte mbeten të fiksuara në vepra si një strukturë individuale, ku ndjeshmëria tonale kthehet në vlerë unike.
“Veshja si aspekt i paraqitjes fizike ka rëndësi sociale, me rregulla dhe pritshmëri të ndryshme që aplikohen në varësi të rrethanave dhe rasteve. Si veshje e përdorur më së shumti është fustani i kohës, fustani i nënës time, i cili ka ngjyrën e kuqe të mbyllët. Historia mbetet prapa, ndërsa fustani ndjek një rrugëtim të ri.”, shprehet artistja mbi fustanin që e mban veshur nëpër pikturat e saj.
Pikturat e piktores Argenita Fetahu vërehen edhepër shkak të ngjyrave.Ajo ka përdorur ngjyra të ngrohta dhe të ftohta që paraqesin dhe fitojnë iluzion në thellësi. Kurse përmes hedhjes së ngjyrave me shpatull ( mjet pune), duke e bërë hapësirën më të vrazhdë apo më të lëmuar, nxitë mendimin se ku qëndron trupi realisht.
Por edhe skulpturat e artisti Andin Bakijajanë të lidhura me eksperiencat, ndjenjat e tij. Mirëpo përderisa te piktorja Fetahu diçka mungon, në skulptura gjejmë të kundërtën. Aty gjërat janë të zmadhuara.
“Skulpturat e mija janë të lidhura me eksperiencën time e sidomos pasi që kam filluar që kur isha katër vjeçar që ti realizoj. Përmes punimeve shprehi gjithë adrenalinën time të brendshme, ndjenjat e rebeluara që i kam brenda trupit”, u shpreh Andin Bakija për KultPlus.
Ai punimet e tij i bazon në karaktere që dallohen për krenari, fuqi mbinatyrore, gjersa përdore plastelin dhe argjilën.
“Tejkalimi i ndjenjës nëpërmjet të gjitha informacioneve të cilat u krijuan nga shqisat, vjen si rrjedhojë e shprehjes së shpirtit që i përmbushë të gjitha kërkesat e një karakteri të dëshiruar nga të gjithë ne. Ëndrrat e realizuara pa asnjë shpresë dështimi dhe arritjet më të larta në këtë jetë apo tjetrën, krijesat që i solla në jetë nëpërmjet një materiali të caktuar i arrijnë ato”, shprehet ai./KultPlus.com