19 Qershor, 2020 - 2:23 pm
Jeta Zymberi
Me qëllimin e rritjes së vetëdijes së popullatës për gjendjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, por veçanërisht luftimin e stigmës dhe mobilizimin e qytetarëve dhe institucioneve për më shumë mbështetje për të mbijetuarit, sot në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë u përurua instalacioni “Bëhu zëri im”, shkruan KultPlus.
Realizuar me ngjyrë të bardhë e qëndisur edhe me 20 mijë lule Anemone, që simbolizojnë të paktën, 20 mijë viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ky instalacion dukej sikur kishte ardhur me këmbë të mbarë e shpejt do të vinte edhe paqja për viktimat në fjalë.
Rrethuar me balona të bardha të cilat kishin të gdhendur gjithashtu lulen Anemone, instalacioni u përurua nga Drejtoresha Ekzekutive e QKRMT, Feride Rushiti, Kryeparlajmentarja Vjosa Osmani dhe Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica. Pas prerjes së shiritit, balonat u lëshuan drejt qiellit, duke dhënë kështu një mesazh të qartë. Që viktimat e dhunës seksuale të jenë të lira nga paragjykimet dhe të gjejnë paqen duke u dënuar dhunuesit e tyre.
Pas përurimit, Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti u shpreh se qëllimi i këtij instalacioni është për të kërkuar në mënyrë simbolike që viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë të mbështeten vazhdimisht.
“Nuk mjafton zëri i Vasfijes dhe Shyhretes që zgjoi letargjinë e fjetur të shoqërisë kosovare në raport me krimet e luftës dhe dhunimet, por duhet të krijojmë hapësirë edhe për viktimat e tjera të luftës që të fuqizojmë dhe mbështesim ato. Kjo është arsyeja e instalacionit simbolik ‘Bëhu zëri im’ që ne të jemi zëri i tyre në çdo perspektivë jetësore”.
Paragjykimi nga shoqëria, është një tjetër torturë që ju bëhet viktimave të dhunës seksuale, andaj Rushiti ka kërkuar që t’ju thuhet mjaftë paragjykimeve.
“Ne po gabojmë rëndë duke i paragjykuar ato, sepse duke i izoluar ato po i japim zë dhunuesit për të qenë i lirë dhe për të mos e marrë ndëshkimin e merituar. Vetëm bashkërisht me institucionet e Kosovës ne mund të ndërtojmë një gjeneratë të re, shoqëri paqësore pa dhunë dhe të reflektojmë për të ardhmen”.
Ndërsa, Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, tha se ky instalacion që përbëhet nga 20 mijë lule Anemone, tregon për personat që kanë qenë viktimë e dhunimit gjatë luftës.
“Dhunimi si mjet që është përdorur gjatë luftës, është dëshmia më e madhe që regjimi i Milloshevicit, ka qenë regjim me synime gjenocidale në Kosovë”.
“Thirrja jonë është thirrje për drejtësi e cila duhet të dëgjohet kudo në botë. Këto lule duhet t’i mbajë secili përfaqësues i Kosovës që ulet në tavolinë me Serbinë, që në radhë të parë të ja përkujtojë vetvetes dhimbjen që akoma e kanë këta 20 mijë njerëz tanë e në veçanti gratë, dhe që t’ia përkujtojnë përfaqësuesve serb krimin që e kanë kryer”.
“Thirrja jonë e dytë është në raport me familjet e të mbijetuarve, që të jenë pranë tyre, t’i fuqizojnë ata dhe tu a japin emrin dhe vendin e merituar. Ato janë heroinat e vendit tonë. Dikush ka menduar që përmes këtij krimi mund të ju marr nderin, por në fakt të gjitha ato janë shndërruar në nderin e vendit tonë.”
Ndërsa, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skënder Reçica, tha se po mundohen që të kryejnë obligimin e tyre si Qeveri për tu dalë në ndihëm kësaj kategorie.
“Ky instilacion duhet të na shërbejë edhe në të ardhmen. Ne si shoqëri dhe Qeveri jemi sado pak duke kryer obligime andaj kësaj kategorie. Obligimi kryhet vetëm kur autorët vihen para drejtësisë. Nuk është shumë që çdo ditë të angazhohemi të jemi zëri i atyre dhe kësaj tragjedie dhe deri sa të kemi ata që kryen krime para drejtësisë”.
Me këtë aktivitet, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës shënoi 19 Qershorin – Ditën Ndërkombëtare për eleminimin e dhunës seksuale në konflikt.
Për shkak të rrethanave të krijuara me pandeminë COVID 19, dhe për të respektuar masat parandaluese, QKRMT nuk ka ftuar qytetarë që të marrin pjesë në këtë aktivitet dhe është kujdesur për parandalimin e grumbullimit të tyre, por qytetarët që kalonin rastësisht aty, ndalonin për të parë nga afër këtë vepër që padyshim tërheqte vëmendjen e tyre. / KultPlus.com