18 Nëntor, 2022 - 4:00 pm
Flonja Haxhaj
Fjalia dhe pyetja filozofike ‘How Long Is Now’(Sa gjatë është tani), erdhi në Prishtinë në formën e një instalacioni në hapësirë publike, realizuar nga grupi artistik ‘Globalodromia FILOART’ kuruar nga Arta Bunjaku Agani, shkruan KultPlus.
Projekti ‘How Long Is Now’ për herë të parë është realizuar në vitin 1997 në Berlin si instalacion drite, dhe pas disa ekspozitave radhazi, shfaqet në Prishtinë në vitin 2001 në ekspozitën “Now” që u hap si kolaboracion i artistëve kosovarë dhe berlinas në Galerinë e Arteve të Kosovës.
Në Berlin instalacioni qëndroi prej vitit 2006 deri 2019 i shkruar në fasadën e ndërtesës Tascheles. Paralelisht në vitin 2019 u ekspozua pamja e fasadës me instalacion edhe në Galerinë Kombëtare të Kosovës gjatë ekspozitës “GROUPING – MOVING – SPREADING” ku edhe filloi bashkëpunimi me kuratoren.
Vetë kuratorja Arta Bunjaku – Agani tha se ideja ka qenë që ky instalacion të bëhet i ngjashëm me atë në Berlin por edhe në një formë më të zhvilluar.
“Kjo vepër ka një rëndësi sepse tërheq një tangjentë Berlin – Prishtinë, i jep rëndësi dy qyteteve dhe po ashtu e bën një deklaratë të tillë që çdo gjë që vlen për Berlin, vlen edhe për Prishtinën dhe se Prishtina është një qytet po aq i madh me njerëz të mëdhenj sa është edhe Berlini”, shprehet Bunjaku – Agani.
Ajo shton se projekti ‘How Long Is Now’, ka të bëjë me instalacionin i cili është punuar nga një material reflektues dhe kjo është e qëllimshme meqë përpos fjalisë e cila në vete mbart koncept filozofik, nuk është vetëm një pyetje, është edhe një lloj deklarate, por i adresohet qytetarit të Prishtinës, pra është dhuratë për qytetarin e Prishtinës.
“Pra sa herë e shohim atë fjali, ne mund të pyesim se sa është gjatë tani dhe ajo pyetje t’i adresohet jo vetëm individit por edhe shoqërisë kosovare, edhe universit në përgjithësi, pra kjo është një pyetje universale, e ku e gjejmë përgjigjen tek secili prej nesh”, shtoi ndër të tjerash Bunjaku – Agani.
Po ashtu pjesë e kësaj ekspozite ishin edhe mendimet e shumë qytetarëve të cilit kishin thënë fjalën e tyre virtualisht për atë se sa gjatë është tani.
Në emër të institutit Goethe, i cili ka mbështetur këtë instalacion, foli drejtoresha Nertila Furriku e cila shprehet e lumtur për inaugurimin e kësaj vepre në Prishtinë.
“Jam shumë e lumtur që po e inaugurojmë këtë vepër dhe po e fusim Prishtinën pak në mendime sepse është një vepër shumë filozofike dhe jam shumë e interesuar të di se çka ju lidhë ju me këtë pyetje dhe se cili është impakti i parë’, tha Furriku duke i lutur publikun të japin idetë e tyre se sa është e gjatë për ta e tashmja.
E pranishme në përurimin e këtij instalacioni ishte edhe artistja Zake Prelvukaj, e cila vlerëson lart veprën që u prezantua sot në Prishtinë.
“Arti gjithmonë ecë, ndonjëherë është në hapësirë të mbyllur e ndonjëherë nuk e duron hapësirën e mbyllur dhe del po në këtë mënyrë, pra si art publik. E ky bashkëpunim është shumë i rëndësishëm”, deklaroi Prelvukaj.
Ndërkaq instalacioni ‘How Long Is Now’ do qëndrojë në këtë hapësirë për një vit, ndërsa kuratorja shpreson se ky projekt do të qëndrojë edhe më gjatë, si një dhuratë për qytetarët e Prishtinës./KultPlus.com