18 Maj, 2018 - 11:09 am
Mbrëmë Galeria Kombëtare e Kosovës ka mirëpritur ekspozitën “Mjegull”, një kombinim i veçantë i artistëve Albert Allgeier, Driton Selmani, Fatmir Mustafa-Karllo, Gazmend Ejupi dhe Luan Bajraktari. Një ekspozitë e cila të fton të shohësh përtej mjegullës që shpesh here krijohet, ashtu siç tha edhe kuratori i kësaj ekspozitë, Avi Lubin, shkruan KultPlus.
Alberina Haxhijaja
Që në hyrje të Galerisë, në oborrin e saj ishte vendosur një nga punimet e artistit Fatmir Mustafa-Karllo, një veturë e cila tymin që lironte e kthente përsëri brenda saj.
Për të vazhduar me veprat që intrigonin publikon nga Driton Selmani, të tilla si “Gjallë dhe Zier”, një grumbull i telave me gjemba e që vende-vende në të ishin vendosur edhe doreza të boksit. “Më trego nga ky jam?”, një hartë ku Kosova mungon, apo “Bashkësia e Patitulluar”, një flamur i bërë nga gjysma e flamurit të Jugosllavisë dhe gjysma nga Flamuri i Shqipërisë. Flamurë që valëvitej në shkopin e drunjtë të një kosë të dorës…
Për të eksploruar tutje “Dëshmitarin e fundit” që gjendej në arkivol nga Fatmir Mustafa-Karllo apo “vëllaun e Milotit” nga Luan Bajraktari, videoinstalacionet “Humbje momentale e arsyes” nga Gazmend Ejupi apo edhe “YOU-GO”.
Duke zbuluar më shumë nga “Gjatësia mesatare e një numri arbitrar të njerëzve në një moment të dhënë në kohë dhe hapësirë”, nga Albert Allgaier duke përfshirë këtu gjatësinë mesatare të njerëzve tëinvolvuar në ekspozitën “Mjegull”, gjatësinë mesatare të popullsisë femërore dhe mashkullore në Kosovë, gjatësinë mesatare të ekuipazhit të misionit në gjithësi “Apollo 13” dhe gjatësinë mesatare të anëtareve të grupit “The Spice Girls”.
Pikërisht ky kombinim i punëve nga artisti Alber Allgaie nga Austria i cili punon në Vjenë, si dhe i kosovarëve nga diaspora, Luan Bajraktari nga Vjena dhe Gazmend Ejupi nga Londra dhe i dy artiste kosovarë që punojnë dhe veprojnë këtu, Fatmirë Mustafa-Karlo dhe Driton Selmani, është arsyeja e numrit të madh të artdashësve që në hapje të kësaj ekspozitë u shpreh drejtoresha e Galerisë Kombëtare, Arta Agani.
Titulli i ekspozitës “Mjegull” ka ardhur si rezultat i përjetimeve që ka pasur kuratori më Kosovën, vendin për të cilin ai nuk kishte ditur asgjë para se të bisedojë me artistin Gazmend Ejupi dhe Driton Semani.
“Fillova që të kërkojë më shumë informata për Kosovën, vendin tuaj, historinë e këtij vendi, e që nuk e kisha ditur më parë.Po ashtu kuptova që vendi im Izraeli nuk e njeh pavarësinë tuaj. Ishte shume e çuditshme për mua, pasiqë ne jemi në një situatë pothuajse të njëjtë, shumë shtete nuk e njohin pavarësinë tonë dhe ne nuk e njohim pavarësinë e Palestinës. Këto pyetje mbi ekzistencën e shteteve apo mbi njerëzit ishte një pikë intriguese për mua që shërbeu si pikë fillestare”, tha ai.
Ai duke kujtuar fjalët e ish-kryeministres së Izraelit, Golda Meir,e cila kishte thënë se palestinezët nuk ekzistojnë, ka dashur që të sjellë në mënyrë metaforike një ekspozitë e cila nuk ekziston, në një vend që nuk ekziston.
“Ajo ka thënë njëherë së nuk ka palestinezë dhe kjo që nga atëherë është shndërruar në shaka në Izrael, pasi që ne i shohim ata njerëz, pra si është e mundur që ata të mos ekzistojnë. Kur mendova që të vi këtu ju thashë djemve që le të bëjmë një ekspozitë që nuk ekziston, në një vend që nuk ekziston, me njerëz që nuk ekzistojnë, në një galeri që nuk ekziston. Kjo filloi si shaka mirëpo kur erdha këtu në janar për hulumtim kishte mjegull në qiell dhe aeroplani nuk mundi që të ateronte, kështu që unë mbeta edhe për një natë në Stamboll. Ju shënova artistëve ‘Ndoshta Kosova më të vërtetë nuk ekziston’ dhe ky moment ishte edhe fillim për këtë ekspozitën”, u shpreh ai.
Tutje kuratori sqaroi se pikërisht këtë mjegull nuk duhet shikuar si një gjendje degresivëpor si mënyrë potenciale për të parë ndryshe, për të filluar diçka të re pa qenë të karakterizuar nëpër kategori apo në bazë të historisë, të kaluarës traumatike.
Në mesin e punëve të ekspozuara ishte edhe “Loja” nga Luan Bajraktari, një punë e re e artistit në të cilin ai ka qenë duke punuar kur e ka marrë ftesën për këtë ekspozitë
“Kjo punë lidhet shumë mirë me gjithë ekspozitën, pra mjegullën, pyetjet rreth ekzistencës dhe mos ekzistencës. Mendova që do të jetë interesant ta sjellë pikërisht këtë punëbrenda galerisë. Gjithmonë kur ne si shtet, pra Kosova, bisedon me dikë duhet që të jetë edhe njëlojtar i tretë i cili na ndihmon me e zhvillu në një mënyrë lojën. Mirëpo nuk është vetëm kjo pasi që ky punim është rrjedh e punëve të mia të mëparshme. Unë kam dëshirë që të luajë me hapësirën edhe me krijua skulptura në hapësira, pra kjo nuk ështëvetëm një fushë futbolli kjo për mua paraqet një skulpturë”, u shpreh ai për KultPlus.
Tëgjithë të interesuarit që dëshirojnë ta vizitojnë këtë ekspozitë do të mund ta bëjnë këtë deri më 17 qershor./KultPlus.com