31 Dhjetor, 2017 - 9:00 pm
Arbër Selmani
KultPlus: Për fillim, ndoshta mundesh me na tregu rreth këtij viti, sa ishte i rëndësishëm ky vit për Petritin dhe artin e tij?
Petrit Halilaj: Këtë vit e fillova me udhëtime në mes të Prishtinës dhe Los Angelosit të Kalifornisë. Në Prishtinë për disa muaj po bisedonim e formësonim “fluturat e natës” me nanën, Shkurte Halilajn, ndoshta puna me më shumë ngjyra që kam bërë ndonjëherë, paralelisht në Los Angelos po bëja kërkime në rezidencën artistike në Mak Center, Schindler House së bashku me artistin Alvaro Urbano, që është edhe i dashuri im.
Mak është rezidencë fantastike dhe përveç rrugëtimeve nëpër peizazhet e pabesueshme e shkretëtirave përreth, si Joshua Tree, ne i njoftuam e rikrijuam në mënyrën tonë krijesat urbane Raccoons dhe u njoftuam mjaft mirë me qytetin e Los Angeles.
Nga atje u ktheva ne Berlin me entuziazëm e ide të qartë rreth zgjerimit të strukturës e studios që e kemi hapur së bashku me Alvaron. Ky strukturim e funksionalizim i studios time në Berlin ishte hap të cilit iu frikësova në fillim, por tani mendoj se ka qenë një vendim mjaft i duhur pasi më mundësoi të punoj me më shumë njerëz, të sjell aty kërkime të reja e bashkëpunime e poashtu të njoftohem me materiale të reja e të krijoj punë të reja që rezultuan në përgatitjen e projektit RU, projekti më i madh që kam realizuar ketë viti i cili u prezantua më vonë në New Museum, NewYork.
Përveç RU, gjatë këtij viti poashtu prezantova projektin “A e kupton se ylberi ekziston edhe nëse është natë?” në Bienalen e Venecias dhe punën me Fondacionin Merz me Torino të Italisë, duke shtuar këtu edhe dy ekspozitat në këto dy muajt e fundit në Galerinë Kamel Mennour, ajo në Londër dhe në Paris me “Abetaren”. Kështu, edhe pse me shumë punë e angazhime, 2017 për mua ka qenë vit me të vërtetë magjik.
KultPlus: Qysh në fillim të vitit more mirënjohje në Bienalen e Venecias, më pas edhe çmimin Mario Merz? Sa ishin të rëndësishme këto çmime?
Petrit Halilaj: Jam jashtëzakonisht i lumtur për mirënjohjen e ndarë nga juria e Bienales së Venedikut. Ishte një ndjenjë e papërshkrueshme dhe e rëndësisë së veçantë. Dua edhe njëherë përmes kësaj interviste atë çmim të ia dedikoj Shkurte Halilajt, nanës time, e cila ka bërë një punë të mrekullueshme e më të cilën është kënaqësi të bashkëpunoj. Ndërsa, çmimin Mario Merz ia dedikoj fëmijëve të shkollës “Shotë Galica” nga Runiku e të gjithë fëmijëve të botës. Unë besoj se edukimi është i shenjtë, kështu që këtë çmim ia dedikoj edhe të drejtës për të zgjedhë që të kemi edukim sa më të mirë e po ashtu që të jemi të vetëdijshëm e mos të harrojmë asnjëherë ëndërrat e dëshirat për liri personale e kolektive.
KultPlus: Petriti dhe kafshët… pse ky inspirim kaq i madh prej kafshëve?
Petrit Halilaj: Jam i interesuar në diçka që nuk është teatrale dhe e përgatitur paraprakisht. Jam i interesuar të sjellë në muze apo kontekst të artit bashkëkohor diçka që është vetja dhe që jeton në atë moment, diçka që nuk është ë përgatitur apo e kontrollueshme. Për këtë, preferoj pulat që pata sjellë në Bienalen e Berlinit në KW, më shumë sesa performancën apo diçka tjetër. Ato ishin aty dhe po mundoheshin të jetonin jetën e tyre rreth të tjerëve. Më duket sikur pa vetëdije, kafshët sjellin diçka të vërtetë, situata që nuk i pret, krijojnë momente të thjeshta, po që kjo thjeshtësi është çka më bën mua të lumtur.
KultPlus: Pak jashtë artit… ishe i pranishëm në Paradën e parë të Krenarisë në Prishtinë. A e ndien se shoqëria kosovare ka ndryshuar sadopak, me mbajtjen e kësaj Parade të komunitetit LGBT?
Petrit Halilaj: Më kujtohet që sapo kam dëgjuar për këtë paradë unë erdha nga Berlini. Në paradën e ardhshme shpresoj të vij edhe me më shumë shokë ë familjarë, pasi që për mua ajo ngjarje është një tregues që në Kosovë kemi filluar të ndihemi të lirshëm në hapësirat publike sikurse në shtëpitë tona, sikur në ato private dhe ato të natës. Fakti se hapësira duhet t`ju përkasë të gjithëve, në Kosovë nuk është bërë ende realitet. Hapësirat dhe diskutimet publike janë diçka që na takojnë të gjithëve, le të vazhdojmë t’i ndjejmë si të tilla. Për mua prapë hapësira ma intime është ajo që unë ë preferoj. Prapë jam në kërkim të vazhdueshëm të hapësirave ku jo gjithçka shihet, e ku imagjinata fluturon. Hapësira ku dëshira shfaqet në formën më të lirë e fantazia fluturon edhe ndriçon çka ajo don!
Askush nuk duhet ta ndjejë që sheshi apo rruga janë personale e nuk ju takojnë të gjithëve. Për të arritur në këtë pikë është punë e gjatë dhe kërkon shumë guxim nga të gjithë ne në Kosovë. Edhe unë ndihem dhe jam pjesë e asaj ecje e rrugëtimi, të gjatë e të bukur. S’ka ecje që më pëlqen më shumë e që më bënë më të lumtur sesa kjo e sidomos kur çdo hap bëhet në drejtimin e duhur. Unë ndjej pas çdo here që vij se në Kosovë, ani pse ngadalë, gjërat po shkojnë në drejtim të mirë.
KultPlus: I kthehemi artit. Në Kosovë mungon një Muze i Natyrës dhe ti ke qenë ndër zërat më të fuqishëm për krijimin e një Muzeu të tillë.. Na trego më shumë, sa është e rëndësishme të krijohet një Muze i tillë dhe a do të bësh ti diçka në këtë drejtim?
Petrit Halilaj: Për mua, gjetja e mbetjeve të ish muzeut, që ndodhi krejt rastësisht në vitin 2009, është bërë pjesë ë hapave të mi për gjetjen e vetës time si dhe fillimin e të kuptuarit të shoqërisë sonë. Besoj së krijimi i vendeve dhe konteksteve ku përmbajtja e tyre i ndihmon njerëzit të gjejnë natyrën e vet e poashtu i ndihmon njerëzit të gjejnë elemente që na bashkojnë e jo vetëm atyre që na tregojnë dallimet është urgjente dhe e rëndësishme. Mendoj së është ë nevojshme që paralel Muzeut Etnologjik ku ne shfaqim atë që na bënë etnikisht të veçantë, Muzeu i Natyrës na bashkon në këtë aspekt me natyrën me veten tonë si njerëz e me të tjerët. Jam në dijeni për punën dhe procesin për rindërtimin e Muzeut, por kam marr pak kohë të mendoj se çka mund të jetë kontributi im pasi që puna ime deri më tani rreth ish muzeut të natyrës, dhe puna ime nga këtu e andej për përfshirjen në krijimin e muzeut të ri janë dy gjëra që lidhen por janë edhe shumë të ndryshme.
KultPlus: Po i afrohemi fundit të intervistës. Qove Runikun në Nju Jork. Si e priti Nju Jorku historinë tënde personale dhe prejardhjen tënde, me anë të artit?
Petrit Halilaj: Pikënisja e këtij projekti ishte disa vite më parë kur u ndesha me një arkeologji që ishte në lëvizje dhe shumë e ndryshme nga mënyra se si ndeshem me tjera civilizime, nëpër muze të botës, që zakonisht është më statike dhe e definuar.
Në Runik, jeta e përditshme e qytetareve aty është e lidhur ngushtë me atë qytetërim
neolitik që e kemi nën shtëpitë e oborret tona, dhe mënyra se si ky qytetërim na e ka zgjeruar e
pasuruar imagjinatën edhe idenë rreth krijimit të botës dhe fillimin e njerëzimit është e mahnitshme! Megjithatë krejt kjo ekziston në një dimension shumë intim dhe nuk shihet, këto rrëfime vijnë pas shumë kohe që kam kaluar aty dhe pasi që jemi njohur mirë me njëri tjetrin.
Prandaj kjo situatë që mua më duket utopike dhe unike, besoj se duhet të ruhet e të trajtohet me kujdes. Do të doja që Runiku të ketë një hapësirë ku këto dy realitete prezantohen së bashku, kombinimi i të super-sotshmes dhe super arkaikes, ku ne jemi në kontakt vetëm përmes mbetjeve dhe objekteve apo varrezave të atij civilizimi e ku në mungesë të informatave nga institucionet, imagjinata jona ka hapësirë të zhvillohet! Imagjinoj që një ditë Runiku të ketë një hapësire që prezanton diçka bashkëkohore dhe arkeologjike në të njëjtën kohë si një realitet i ri. Këto mendime e dëshira janë motivi i ekspozitës në New York.
Në njërën pjesë kam prezantuar një film me intervista e bashkëbisedime të miat me qytetarët e Runikut, kurse në pjesën tjetër të hapësirës, në formë të zogjve migrues, rikrijova 505 objekte të gjetura në Runik, në pozita të ndryshme, me pamje, gjysmë zogj, gjysmë objekte që po qëndronin në hapësirë. Ato objekte arkeologjike me pamje të zogjve i kam krijuar në bazë të të gjeturave nga arkivat, librat, fotografitë e videot e ndryshme e në bazë të objekteve të Runikut që qytetarët i kanë gjetur në oborret e tyre e i mbajnë aty. Ato objekte tani vazhdojnë të qëndrojnë pezull në New Museum, ku të japin ndjenjën se janë ndalë për një moment para se të fluturojnë përsëri diku tjetër.
KultPlus: Sipas teje, ku është sot arti i Kosovës? Disa emra, përfshirë ty, kanë bërë bujë, por a është sot i rëndësishëm për Evropën, dhe a është i fuqishëm arti që del nga Kosova?
Petrit Halilaj: Unë e shoh kontekstin e artit si një rast për ne artistet me punu me realitetin dhe imagjinatën, e në të njëjtën kohë ku edhe provokojmë kufijtë që kemi rreth nesh. Me iu ik e me ju afru pyetjeve e preokupimeve që i kemi bashkë me dëshirat dhe ëndrrat. Jemi të lirë me qenë pjesë e realitetit nga afër apo larg me pikëpamje personale e më e gjerë. Për mua arti është mënyrë për me gjetë një vizion ma të gjerë se si ne si vend mundemi me qenë pjesë e botës dhe si bota mundet me qenë pjesë e një konteksti të vogël si Kosova apo rajoni ynë.
KultPlus: Për fund, Petriti dhe viti 2018-të, çka ke në plan?
Petrit Halilaj: Mezi pres që vitin ta filloj me një vizite të shkurtër në Kosovë para se të shkoj në Smithsonian Institute, Washington ku do të bëj hulumtime për dy muaj dhe ku mundem të vazhdoj kërkimet për Runikun si civilizim e ta krahasoj atë me rastet tjera në botë. Dua të shoh se si arkivohen dhe transmetohen këto gjetje në vende të tjera dhe po ashtu do të vazhdoj hulumtimet në repartin e zogjve migrues. Pastaj gjatë këtij viti do të realizoj tri ekspozita të mëdha personale në Pauls Klee Center, Bern, në Torino ku kthehem me një projekt të ri, dhe në Hammer Museum, Los Angeles. Një ngjarje shume speciale për mua është edhe ekspozita personale me rastin e 10 vjetorit të galerisë time të parë Chertlüdde, në Berlin, në muajin nëntor.
Gjatë këtij viti po ëndërroj ta vazhdoj bisedën me bashkëqytetarët e Runikut që bashkë të krijojmë një aktivitet të veçantë, një ditë që iu dedikohet zërit e ku instrumentet muzikore takohen me performancën dhe muzikën, po shpresojmë me e shndërruar Runikun në një vend ku për një ditë e një natë ne nga rajoni do t’i takojmë të ftuarit nga gjithë bota që sjellin muzikën e tyre, kompozimet e tyre dhe instrumentet e tyre.
Ka shumë punë e po dua ta mendoj krejt këtë ëndërr gjatë qëndrimit tim në Washington.D.C së bashku me departamentet edhe profesorët e mi atje.
Ju uroj të gjithëve mbarësi e vazhdimësi të punës dhe ëndrrave tona.