Petrit Halilaj me instalacion gjigant në Metropolitan Museum of Art New York

18 Prill, 2024 - 9:31 am

Artisti nga Kosova, Petrit Halilaj është talenti më i ri që ngarkohet për të krijuar një vepër specifike që do të përshtatet me taracën e Metropolitan Museum of Art, në Nju-Jork. Ky do të jetë projekti i parë madhor i Halilajt, në Shtetet e Bashkuara, i cili pritet të transformojë “The Met Roof” me një instalacion gjigant skulpturash.

“Puna e Halilajt është thellësisht e lidhur me historinë e re të vendit të tij të lindjes, Kosovës dhe pasojat e tensioneve kulturore dhe politike në rajon”, shkruan The Metropolitan Museum of Art (MET).

Pas një periudhe formimi në Itali, ku studioi art në Accademia di Brera, në Milano, Halilaj u transferua në Berlin, në vitin 2008, ku jeton dhe punon ende. Projektet e tij përfshijnë një shumëllojshmëri mediesh, duke përfshirë skulpturën, vizatimin, poezinë dhe performancën.

Ekspozita mbështetet nga organizata bamirëse Bloomberg Philanthropies.

Petrit Halilaj bëri bujë me koleksionin e tij, “Abetare” që në thelb i referohet mënyrës se si mësohen ABC-të e një gjuhe. Tavolinat që ai përdori në ekspozitën e tij përfaqësonin 30 vjet shtresa vizatimesh. Halilaj i mori këto vizatime, i zmadhoi dhe i bëri skulptura 3-D. Përmes shkarravinave të gjetura mbi banka, artisti shpjegoi se si kishte ndikuar lufta tek fëmijët e shkollës e në të njëjtën kohë si u ndikuan ata nga bota e internetit. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme