Petrit Halilaj, një shkreptimë për të ndriçuar jetën kulturore në Runik (FOTO)

8 Korrik, 2018 - 1:53 pm

Alberina Haxhijaj

Artisti Petrit Halilaj, mbrëmë në Runik ka realizuar performancën “Shkrepëtima” e cila përfshin skulptura që lëvizin, drita dhe skenografi të krijuar nga rrënojat e Shtëpisë së Kulturës, projekt që i dedikohet të gjitha ëndrrave të qytetarëve të Runikut, shkruan KultPlus.

Në mendjen e shumë banorëve të fshatit të Runikut, që i përket komunës së Skenderajt, Shtëpia e Kulturës kujtohet me shumë nostalgji. Ata të cilët e kanë përjetuar periudhën e artë të saj, kujtojnë shfaqjet që janë luajtur aty madje edhe numrin e saktë të librave, që përfshinte 11 mijë libra, të cilat kanë qëndruar në bibliotekën e kësaj qendre kulturore. Kujtojnë kinemanë, sallën e koncerteve dhe dyqanet e vogla.

Përmes përshkrimit të qytetarëve të Runikut, një prej të cilëve është edhe artisti Petrit Halilaj, mund të paramendoni radhët e gjatë të publikut për të hyrë brenda. Mund të imagjinoni sesi në kohë shfaqje punonjësit mbyllnin edhe dritare në mënyrë që publiku jashtë të mos iu pengonte aktorëve që sjellnin në jetë shfaqjet brenda asaj hapësirë.

Mirëpo, për më shumë se 19 vite në këtë shtëpie, fole e zhvillimit të kulturës, në një fshat që është 60 km larg kryeqytetit, nuk janë mbledhur artistë. Aty mund të vëreheshin vetëm gërmadhat e mureve prej tullave të dheut të pjekur dhe kulmi i cili në një pjesë të madhe mungon, pasi që, në këtë shtëpi kulturë kishin gjetur strehë vetëm mbeturinat dhe kafshët endacake.

Por, për një artistë të dhënë pas vendit ku ka lindur, rikthimi i jetës kulturore pikërisht në atë vend mund të jetë një sfidë e përkryer por edhe një projekt ideal. E artisti i duhur në këtë rast sigurisht është dashur që të jetë Petrit Halilaj.

Petriti është i njohur për punën e tij artistike e cila është prezantuar nëpër vende të ndryshme në botë. Ai po ashtu njihet edhe për përfshirjen e historisë së qytetit të tij në këto punime. Mund të përmendim këtu ekspozitën e tij në Nju Jork që përmbante rikrijime të shumta të relikteve të gjetura në Runik. Apo viti 2011, kur ai e gërmoi dhe transportoi një copë të madhe dheu nga fshati i tij dhe e shfaqi në Bazel të Zvicrës. Ekspozita ABETARE, apo dërgimi i qilimave në Varshavë.

“Andërr e jona është me e tregu historinë që ne identifikohemi më të, duke filluar nga parahistoria dhe gjetjet arkeologjike që janë bërë. Këtu mundem me e përmend okarinën me të cilën ne të gjithë identifikohemi e që është zëri i cili pak a shumë është prezent në tërë performancë. Deri të fakti që këtu ka pas teatër, aktorë. Imagjinata është shprehur këtu e po ashtu edhe realiteti dhe kjo e ka krijuar identitetin që e kemi sot”, tregoi për KultPlus Petrit Halilaj.

Pikërisht emri “Shkrepëtima” për këtë performancë të ideuar dhe drejtuar nga artisti, e që është ndërhyrja e parë e këtij niveli nga ai në një hapësirë publike, lidhet më te kaluarën e ndritshme kulturore të këtij vendi.
‘Shkrepëtima” ishte revista të cilën arsimtarët, nxënësit dhe shkrimtarët e Runikut e publikonin për herë të parë në vitin 1972. Kjo revistë multietnike kishte për qëllim ngjalljen e vetëdijes kombëtare e kulturore, inicimin e transformimeve shoqërore dhe promovimin e arsimit.

Mirëpo sot nuk botohet më revista, ndërsa shtëpia kishte mbetur një gërmadhë pasi që kur gjendja politike u përkeqësua në vitet e 90-t, ndërtesa u mbyll dhe u zhvesh nga të gjitha përmbajtjet. Objekti mbeti plotësisht i braktisur deri sa Halilaj bashkë me ekipin e tij dhe anëtare e komunitetit, e pastruan dhe e ringjallën shpirtin e “Shkrepëtimës”.

“Të gjitha këto sot nuk i kemi më, mirëpo çka kemi është e ardhmja”, thekson artisti.

Kështu “Shkrepëtima” risolli fragmente të disa prej dramave më të njohura shqiptare që janë përformuar në teatrin e këtij objekti gjatë viteve të 80-ta. Projekti formohej përmes tregimeve që shfaqeshin gjatë kohës që një djalosh flinte. Gjersa ai vazhdon ëndrrën, në ambientin përreth tij zhvilloheshin shfaqje teatrale, ndërsa zogjtë me rekuizita të shfaqjeve i ndërtonin folenë.

“Toka jonë” nga Kolë Jakova, “Cuca e Maleve” ng Loni Papa, “Nita” nga Josip Rela dhe “Hakmarrja nga Jusuf Kelmendi, ishin dramat e zgjedhura.

Artisti përmes kësaj përzgjedhje adresonte çështje të rëndësishme që ndërlidhen me identitetin shoqëror shqiptarë, siç është lufta për liri personale e kolektive, rezistenca gjinore dhe përpjekja për të mposhtur mentalitetin e prapambetur, por jo vetëm kaq.

“Performanca e ka pjesën që ka të bëjë me të ardhmen dhe shpresoj që do të hapen mundësi për këtë vend, në mënyrë që Runiku të ketë jo vetëm një shtëpi të kulturës por edhe një muze pasi që ka histori që mundemi me ja shpalosë gjithë botës”, u shpreh Halilaj.

Pikërisht akti i parë i kësaj performancë ka bërë së bashku Petrit Halilja dhe këngëtaren Fatime Kosumin, e njohur si ANDRRA si dhe Christoph Hamann të cilët së bashku kompozuan muzikën për këtë pjesë. Kompozimi përfshinte tinguj të okarinës, tinguj të tullave, xhamave, tjegullave dhe materialeve të tjera të gjetura në mes të rrënojave.
“Është kënaqësi të jesh pjesë e këtij projekti që është shumë i veçantë. Kam pasur kënaqësinë me kompozu për aktin e parë. Më pëlqen qe pikërisht një projekt i tillë po mbahet në një vend rural të Kosovës e sidomos në Shtëpinë e Kulturë, ku ka pasur shumë aktivitet kulturore deri para luftës por që më nuk janë ringjallur. Petrit pra me këtë projekt ka bërë një përpjekje që edhe pjesët rurale me i ngjallë me aktivitet kulturore”“, u shpreh për KultPlus këngëtarja ANDRRA e cila në këtë natë performoi edhe disa prej këngëve të saj.

Në mesin e performuesve ishin: Donikë Ahmeti, Edlir Gashi, Tristan Halilaj, Rrezarta Haziraj, Qendresa Kajtazi, Bislim Muçaj, Behie A. Murtezi, Agnes Nokshiqi, Ermal Sadiku, Edon Shileku, Alketa Sylaj si dhe qytetarë të tjerë nga Runiku./KultPlus.com

Të ngjajshme