Pierre Kastriot Jashari, fitues i çmimit të rëndësishëm në festivalin e fotografisë, në Biel

2 Qershor, 2021 - 2:37 pm

Festivali i madh, i 24-të i fotografisë “Bieler Fototage” në qytetin Biel/Bienne (Kantoni i i Bernës) ka përfunduar të dielën.

Programi i planifikuar për vitin 2020 duhej të shtyhej vitin e kaluar për shkak të pandemisë. 10,000 vizitorë kanë vizituar 23 ekspozitat e festivalit nën titullin e përbashket “Cracks”që ka zgjatur tri javë, shkruan “Bieler Tagblatt”.

Si pjesë e festivalit, dy çmime janë dhënë për herë të parë këtë vit: Nigeriani Anthony Ayodele Obayomi ka marrë Çmimin “Taurus” për Artet e Bukura për projektin e tij në vazhdim. Ai do të ekspozojë punën e tij nga 4 korrik deri më 29 gusht në “Photoforum Pasquart” në Biel dhe më pas në “Lagos Photo” në Nigeri. Me instalimin e tij, artisti vë në dyshim komercializimin e shpresës në jetën e përditshme të nigerianëve shpesh të varfër.

Ndërsa fituesi i parë i çmimit “Enquête photograpique Bernese Jura” të kësaj ekspozite është bashkatdhetari ynë, Pierre-Kastriot Jashari, transmeton albinfo.ch. Puna e artistit, i cili jeton dhe është i lindur në Biel/Bienne, Kantoni i Bernës, do të prezantohet nga 25 deri më 26 shtator si pjesë e Bienales  Nokturno të Fotos “No’Photo” në Gjenevë.

Koleksioni i tij i portreteve dhe peizazheve merret me jetën e përditshme të rinisë multikulturore në Jurën e Bernës, portrete dhe peizazhe që luajnë në një mënyrë delikate me dritën dhe hijen.

Punimet e tij vënë në dyshim ndjenjën e përkatësisë së një individi në nivelin e mjedisit të tij ose të saj.

Pierre-Kastriot Jashari dëshiron të bëjë të dukshme atë që zakonisht thuhet vetëm pas dyerve të mbyllura, gjërat e fshehura apo edhe të bëra të paqasshme në shoqërinë tonë.

Artisti i ri shqiptar është i lindur në Biel në 1994 si djali i prindërve të arratisur nga Kosova në vitin 1990. /albinfo/ KultPlus.com

Të ngjajshme