25 Korrik, 2022 - 11:15 am
“Pietro Marubbi, një fotograf në Shqipërinë osmane”, kështu titullohet ekspozita e Muzeut Marubi në Manifesta 14, në Muzeun Etnologjik të Prishtinës.
Ekspozita e cila instalohet në një banesë me arkitekturë orientale, na kujton stilin e strukturës ku Marubi erdhi e ndërtoi studion e tij fotografike. Koncepti kuratorial i ekspozitës ashtë i bazuar në një përzgjedhje imazhesh që na tregojnë edhe për marrëdhëniet ndërmjet refugjatëve italiane në Shkodrën e shek. XIX.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në 30 tetor të këtij viti dhe realizohet në kuadër të bienales nomade e cila për këtë vit i takon Prishtinës.
Manifesta, Bienalja Europiane e Artit Bashkëkohor, e ndryshon vendndodhjen e saj çdo 2 vjet. Kjo bienale përpiqet të qëndrojë larg atyre që njihen gjerësisht si qendra që prodhojnë art, duke e kërkuar atë në terrene të freskëta e më të begata. Kjo është dhe njëra nga arsyet përse u përzgjodh Prishtina për edicionin e saj të 14-të. / KultPlus.com