24 Shtator, 2018 - 9:30 am
Motrat binjake Safarani, të lindura në Iran, kanë pikturuar që kur ishin 13 vjeç. Ato u dashuruan me artin në Iran, por pas diplomimit në degën e pikturës të Universitetit të Teheranit, vendosën ta vazhdojnë arsimimin e tyre jashtë shtetit dhe u transferuan në Boston.
“Ne donim të lëviznim, të eksploronim dhe të ndryshonim mënyrën tonë të të jetuarit. …Dhe shkoi mirë. Këtu kemi shumë mundësi që nuk i kishim në Teheran, që mund të na ndihmojnë të zhvillohemi si artiste. Mund të krijonim çfarë të donim në Iran, por për t’i shfaqur disa nga ato piktura … kishte rregulla dhe kufizime”, thotë Bahareh.
Pasi përfunduan studimet pasuniversitare për artet e bukura në Universitetin Northeastern, dy motrat filluan të organizonin ekspozitat e tyre të para të veçanta. Jeta në Shtetet e Bashkuara u mësoi atyre se të qenit i suksesshëm nuk do të thotë vetëm të kesh talent. Për të patur sukses, është e nevojshme të takohesh me tregtarët e artit, të udhëtosh në të gjithë vendin dhe të japësh intervista. Sot, pikturat e motrave, që shprehin përqafimin e bukurisë me dhimbjen, janë bërë të njohura.
“Nëse gjithçka në botë do të ishte e përsosur, gjithçka të ishte e bukur, të gjithë të ishin të lumtur, kjo do të ishte koha kur nuk do të krijohej asgjë”, shpjegon Farzaneh.
Pikturat e tyre shiten mirë, pavarësisht çmimit të lartë – secila prej tyre kushton midis 12 dhe 30 mijë dollarëve. Disa krijime paraqiten si instalime video – një mënyre e re arti që Bahareh dhe Farzaneh e zbuluan në Amerikë.
“Sfida më e madhe për të gjithë ata që emigrojnë është që të përshtaten në vendin e tyre të ri. Në Iran, ne kemi mësuar artin tradicional; kur erdhëm këtu, eksploruam artin me video, artin e performancës. Kjo na çoi në një nivel krejt të ri”, thotë Farzaneh.
Motrat janë shumë të zëna me punimet e tyre. Çdo ditë ato planifikojnë ekspozita dhe takime të reja. Ekspozita e tyre e ardhshme do të jetë tani në vjeshtë, në Nju Jork. Dhe ato thonë se ky është vetëm fillimi./KultPlus.com