Piktorët e Alpeve shqiptare, në ekspozitën e GKA-së në Shkodër

19 Prill, 2025 - 1:06 pm

Galeria Kombëtare e Arteve çeli në Shkodër ekspozitën e projektit “Psikologjia shqiptare në artet pamore”.

Kjo është ekspozita përmbyllëse e këtij projekti, i cili këtë herë udhëtoi drejt Shkodrës si një nga pikat më të rëndësishme historike e kulturore të Shqipërisë.

Ky projekt u drejtua nga Olsi Laska, me pjesëmarrjen e studiueses së artit Suzana Varvarica Kuka. Ekspozita do të mikpresë artdashësit në Galerinë e Artit të Shkodrës për një muaj, pasi do të qëndrojë e hapur deri më 17 maj.

Ekspozita “Idromeno, Shkodra mbretëresha e arteve dhe artistët e Alpeve” prezanton 113 vepra arti nga 76 artistë të njohur nga trevat e Shkodrës, Lezhës, Malësisë së Madhe, Mirditës, Laçit, Kukësit, Pukës, Peshkopisë dhe Tropojës, dëshmi e ndikimeve perëndimore dhe e zhvillimit të artit modern në Shqipëri.

Kjo ekspozitë ndërton një hapësirë vizuale të veçantë duke nxjerrë në pah tiparet unike të qytetit të Shkodrës dhe duke paraqitur vepra të rëndësishme të artistëve të hershëm shqiptarë. Nën ndikimin e frymës perëndimore, këto vepra shënojnë lindjen e artit laik dhe modern shqiptar, duke u shkëputur nga arti tradicional i lidhur me tematika fetare./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme