1 Tetor, 2020 - 9:27 pm
Me anë të një ceremonie solemne, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta vlerësoi sot piktorin e shquar, Vangjush Mio (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit”, me motivacionin “Si një ndër piktorët e parë profesionistë në Shqipëri.
Me metodën e impresionizmit ka pikturuar me dashuri peizazhin shqiptar, me dritë dhe gjuhë artistike të nivelit më të lartë. Ai mbetet “Poet i natyrës” dhe pararendësi në formimin e peizazhistëve të mëvonshëm”.
Po kështu me Dekoratën “Nderi i Kombit”, Kreu i Shtetit çmoi edhe piktorin e shquar Abdurrahim Buza (pas vdekjes), me motivacionin “Si një ndër piktorët e parë që hodhi bazat profesionale të arteve figurative në Shqipëri. Për krijimtarinë e tij të gjerë që përshkohet dallueshëm nga fryma kombëtare, e ndërthurur me vlera artistike. Si një zë unik e individualitet i dallueshëm në artin pamor shqiptar”.
Duke iu drejtuar të pranishmëve në ceremoninë e dekorimeve të dy mjeshtrave të papërsëritshëm të artit pamor shqiptar, Presidenti Meta u shpreh se, “ky aktivitet zhvillohet sot në ditën e parë të muajit Tetor, i cilësuar tradicionalisht si muaji i letërsisë dhe artit, por edhe si muaji kur kanë lindur shkrimtarë të shquar të letrave shqipe dhe kulturës sonë, si Gjergj Fishta, Dritëro Agolli, Migjeni por edhe të tjerë.
Aktiviteti i sotëm shënon njëkohësisht, fillimin e një sërë aktivitetesh të tjera kulturore e artistike, që do të zhvillohen në këtë Institucion, gjatë muajit tetor.
Artistët shqiptarë i kanë patur dhe do i kenë dyert e Presidencës gjithmonë të hapura, për të performuar e për të shpalosur krijimtarinë e tyre.
Vërtet jam shumë i nderuar për këtë ceremoni vlerësimi të organizuar sot për këto dy personalitete shumë të mëdha të kulturës sonë kombëtare, sepse në këtë periudhë globalizimi, vetëm forcimi i identitetit kombëtar dhe krenarisë për kulturën tonë kombëtare, mund të na mbajë të bashkuar dhe të fortë, në mënyrë që të mos zhbëhemi si komb, as si shtet dhe as si shqiptarë”, përfundoi Presidenti i Republikës së Shqipërisë. /atsh/ KultPlus.com