26 Prill, 2022 - 2:17 pm
Në praninë e një numri të madh dashamirësh të artit pamor, në Galerinë “Desiderio“ në qendër të Vjenës, të premten, me datë 22 prill, u hap ekspozita e përbashkët e dy artistëve shqiptarë Ben Kamili nga Tetova dhe Artan Shabani nga Vlora.
Me një fjalim shumë të thellë e domethënës me rastin e hapjes, u paraqit historiani i artit, gjermani, Wilhelm Ziehr, i cili i vlerësoi lart veprat e piktorëve që ishin të shfaqura në muret e galerisë, por edhe ato që autorët i kanë në thesaret dhe atelietë e tyre.
Benin dhe Artanin nuk i lidh vetëm viti i njëjtë i lindjes, por edhe e bukura, e pathëna me fjalë, e pikturuara, e fshehta, harmonia e ngjyrës, thellësia e imagjinatës, muza etj. Prandaj ekspozita mban emrin “Fuqia e ngjyrës“, sepse në veprat e tyre vërehet një shpërthim ngjyrash, zhvillimi i tyre i brendshëm shpërfaq tërheqshëm ndjenjat dhe idetë e autorëve, gjersa motivi është i ndryshëm dhe na sjell pamje nga përditshmëria, impresionizmi, abstraksioni, erotizmi, peizazhi etj. Në disa piktura paraqiten mjedise të ndryshme shqiptare, brigje e lumenj, por edhe pamje nga vende të ndryshme të botës, ku autorët e kanë gjetur frymëzimin e tyre. Prania e femrës është gjithashtu një element përmbajtësor i veprave, ku ajo shfaqet në akte të ndryshme, e bukur, me stil dhe veçori romantike e artistike. Njashtu edhe gjelbërimi, lulet e bota bimore, objektet e jetesës, kasollet etj. janë në një përputhje të mahnitshme. Veprat flasin për një shije estetike dhe një cilësi të ngritur krijuese të dy piktorëve.
Historiani i artit, Wilhelm Ziehr pasi tregoi disa të dhëna mbi personalitetin e piktorëve, Benit dhe Artanit, teksa lexoi sukseset e tyre me ekspozitat individuale dhe kolektive në shumë vende të botës, paraqiti para të pranishmëve mbresat e tij nga veprat figurative të ekspozuara këtu në Vjenë, duke gjetur fjalët e veçanta, duke analizuar mprehtësinë krijuese dhe frymëzimin e artistëve.
Të pranishëm në ekspozitë ishin një numër i madh bashkatdhetarësh shqiptarë nga Vjena, si: shkrimtari Besim Xhelili, kompozitori Jozef F. Pjetri, piktori Endrit Mema, afaristët Aki Nuredini dhe Argtim Hani etj., gjersa ambasadori i Shqipërisë në Vjenë, z. Roland Bimo pasi i përshëndeti autorët dhe të pranishmit, i përgëzoi piktorët Kamili dhe Shabani, duke u treguar i befasuar nga arti i tyre dhe njëkohësisht i gëzuar me arritjet e tyre.
Ekspozita do jetë e hapur një muaj dhe mundet të vizitohet në Galerinë “ Desiderio”, në adresën: Johannesgasse 17, 1010 Vjenë./ Diaspora shqiptare/ KultPlus.com