23 Dhjetor, 2018 - 3:40 pm
Një nga emrat më të dashur të pikturës mes profesionistësh, Fehmi Hoxha – Feho, mbajti të shtunën mbrëma ekspozitën e tij personale.
Muret në hapësirat e galerisë “H&B” ishin mbushur me pikturat e Fehos, që të gjitha të punuara përgjatë vitit 2018. Në to spikatet peizazhi i punuar në një stil krejt të veçantë.
Teknika e punës që përdor piktori Hoxha, sipas profesorit të Akademisë së Arteve – Hajrush Fazliu, bën dallimin e këtij piktori nga të tjerët, përpos vlerave tjera të shpërfaqjes së ideve në pikturë.
“Duke respektuar shumë elemente të artit pamor, si edhe parimet e saj, në pikturën e Fehmi Hoxhës e kemi edhe përmbajtjen dhe mesazhin e tij, që e paraqet çdo mendim të tij. E veçanta e tij është teknika, dhe ajo e bën që ngjyra ta ndjen, e të na jep një vepër të sigurt figurative”, ka thënë Fazliu.
Kurator i ekspozitës ishte profesori Refki Gollopeni, që tha se të qenit kurator i ekspozitës së Fehmi Hoxhës nuk është e vështirë.
“Nuk është fare vështirë të jesh kurator tek ekspozita e Fehmi Hoxhës, pasi çdo pikturë që merr ka vlerat e veçanta. Është e vështirë të gjesh dikë që Feho pikturon si ai, por si Feho po”, ka thënë Gollopeni.
Ndërsa vet autori e la vetën të fundit që të flas, e potencoi se ai gjithmonë synon fuqizimin e institucioneve artistike, sikur edhe galeritë private, sikur tek ajo që organizonte këtë të fundit.
“Unë dua që secila galeri të fuqizohet sepse kështu është e tërë bota. Kjo ka qenë shtysa që të organizoj këtu ekspozitën dhe është ekspozitë që u kushtohet festive të fundvitit”, foli shkurt Hoxha.
Ekspozita do të jetë e hapur gjerë më 22 janar, teksa aty pikturat e ekspozuara do të mund edhe të blihen, me një çmim më të ulët. /KultPlus.com