31 Korrik, 2023 - 3:03 pm
Në historinë e artit të pikturës është e rrallë që një piktor i njohur t’i jetë drejtuar me aq pasion dhe adhurim shqiptarëve.
Leon Gerôme (Zherom), në pikturën franceze të gjysmës së dytë të shekullit XIX, njihet si një piktor akademik dhe realist, që ka bërë aq shumë nudo („nu“) të njohura në temën erotike franceze, si dhe temën biblike dhe greko-romake. Por, ajo që ka mbetur si një gjurmë dalluese dhe e pashlyeshme dhe që është arritja e tij më e mirë pikturale, janë personazhet e tij arnautë, shqiptarët që ai i pikëtakoi në udhëtimet e tij në Egjipt.
Është e çuditshme, se ky piktor mund të ishte mjaftuar me dhjetëra tablo që pikturoi gjatë apo pas udhëtimit të tij të parë në Egjiptin modern të Mehmet Ali Pashës, por ato portrete e personazhe, veshur me fustanella të bardha, të hedhura aty si nga një dorë qiellore, midis piramidave, mamlukëve, beduinëve dhe koptëve të vjetër, e kishin tërhequr me një fuqi të pashpjegueshme. Ndoshta ishte dhe vetë enigma se përse ata njerëz me fizionomi të skalitur dhe të prerë, që qëndronin natyrshëm në sfonde shkëmbore e malesh, gjendeshin tashmë në ato toka rrafshore, mes shkretëtirës dhe duhive të erës që sillnin vetëm rërë. / Hejza / KultPlus.com