Piktori Mentor Berisha me ekspozitë në VAN GOGH Art Gallery të Madridit

24 Janar, 2025 - 10:30 am

Pikturat e piktorit kosovar, Mentor Berisha janë ekspozuar mbrëmë, në Van Gogh Art Gallery, në Madrid të Spanjës, krahas shumë veprave të 30 artistëve ndërkombëtar, nga shumë vende të botës.

Siç sqaroi Berisha, prezantimi i tij në Spanjë është mjaft domethënës, dhe ka një rëndësi të veçantë, për faktin që një pjesë e trashëgimisë sonë historike, shpaloset në një shtet, që ende se njeh Republikën e Kosovës.

„Solidariteti si Rezistencë“ është cikli i punimeve të Berishës, të realizuara gjatë viteve të fundit në pikturë, dhe ka për fokus temën e sensibilizimit të grupeve të ndryshme sociale-kulturore, përgjatë viteve 90-ta në Kosovë.

Ky cikël përmban motive nga „Falja e Gjaqeve“ dhe „Greva e Minatorëve të Minierës së Trepçës“.

Arti i tij është i njohur për përmbajtjen dhe kompozicionin shprehës me nuanca të ekspresionizmit modern në pikturë, për forcën e thekshme në përzgjedhjen e ngjyrave dhe vendosjen specifike të dritës në copëza subimazhesh.

Berisha së fundi ka ekspozuar edhe në Finlandë, Estoni dhe Austri./ KultPlus.com

Të ngjajshme