11 Gusht, 2019 - 10:40 pm
Pasioni për pikturën e mban gjallë ndërsa vetëm vdekja mund ta ndajë prej saj. Këto janë fjalët që të nguliten në mëndje kur bisedon me piktorin e talentuar nga qyteti liqenor.
Qemal Guri është piktori i telajos i cili prej mëse 32 vjetësh jetën e ka përkushtuar në penelin e telajos.
Gjithçka që ai pikturon është e lidhur ngushtë me natyrën dhe peizazhin e Pogradecit por jo vetëm. Babai e regjistroi në shkollën teknike të minierës edhe pse talenti i 55-vjecarit flinte diku tjetër.
Teksa ndoqi rrugëtimin e dëshirës së prindërve, Qemali vizatonte çdo sekondë deri në momentin që mësuesja e tij e cila zbuloi talentin.
Mjeshtëria në pikturat e tij të lë pa fjalë. Portretet apo edhe natyra janë të hedhura në telajo ka tërhequr edhe vëmendjen e turistëve. Çmimet janë modeste por piktori pogradecar thotë se pikturon për pasion.
Jeta e tij nuk ka qenë aspak e lehtë por pasioni i tij për të pikturuar nuk është ndalur asnjëherë pavarësisht kësaj. Qemal Guri është piktor mjaft i njohur për qytetin liqenor ndërsa ka qenë fitues i mjaft konkurseve në mbarë vendin. Pikturat e tij të hedhura në telajo janë të rralla të punuara mjeshtërisht ku çdokush që ka vizituar fshatin e Teta Ollgës por jo vetëm është pothuajse e pamundur të largohen pa marrë një pikturë prej tij. /Kohajonë /KultPlus.com