18 Tetor, 2018 - 3:57 pm
Qielli dhe ngjyrat piktoreske të Prishtinës bashkë me mjegullën dhe me venitjen e qytetit janë kryefjala e ekspozitës ‘Fading under the sky’ nga piktori Rron Qena, e cila u hap me 15 tetor në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në Prishtinë.
Ekspozita artistike përbëhet prej shtatë pikturave, duke nisur me “Fading City”, e duke vazhduar me “Space Illusion” për të përfunduar me “Not all trees.. we lost the city too”.
Vjosa Berisha, kryesuese e ekipit në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian EUICC, mirëpriti të pranishmit duke potencuar prapë rëndësinë që artistë të tillë të ekspozojnë në hapëirat e EUICC në Prishtinë dhe në Mitrovicë të Veriut.
“Jam e lumtur të prezantoj ekspozitën e Rronit sonte. Sa e kuptova, ka kohë që Rroni nuk ka ekspozuar në Prishtinë prandaj më vjen mirë që sonte e kemi këtu mes nesh. Kjo është një ngjarje tjetër ku po promovojmë artistët dhe kulturën” tregoi Vjosa Berisha në hapjen e ekspozitës.
Pikturat sjellin Prishtinën, kryeqytetin e Kosovës në disa ngjyra e në atsmoferë të ndryshme, duke e humbur veten në ndotje. Një grua e bukur nga prapa dhe një burrë hijerëndë – janë dy piktura tjera shumë personale për piktorin.
Në perspektivën artistike të Qenës, shteti, qyteti dhe njerëzit zhduken ngadalë derisa qielli vazhdon të bëjë dritë.
Rron Qena është një prej piktorëve më të mirë të gjeneratës së tij, i cili ka diplomuar në Akademinë e Arteve në Prishtinë ndërsa ka ekspozuar edhe në Paris, Berlin e në Amsterdam. Ekspozita për më tepër konsiston edhe me Fushatën për Mjedis e cila ka nisur në shtator dhe po vazhdon deri në dhjetor, me ajrin, ujrin, mbeturinat dhe energjinë si katër fushat kryesore të koncentrimit, për mbrotjen e mjedisit në mbarë Kosovën.
Ekspozita “Fading Under the Sky” do të jetë e hapur në EUICC deri me 8 nëntor ndërsa të gjithë të interesuarit mund të vijnë ta shohin ekspozitën. Të gjitha piktura janë në shitje ndërsa për më tepër duhet të kontaktoni piktorin Rron Qena. / KultPlus.com