10 Gusht, 2023 - 1:30 pm
Jeta Zymberi
Nëse ju bie rruga në sheshin e piktorëve në ishullin grek të Rodosit, ju mund të hasni në Bekim Fehmiun të pikturuar nga dora e artistit shqiptar që me vite jeton në Greqi, Diamant Shehu. Dashurinë, mallin dhe frymëzimin që mori nga vendlindja, ai e zbërthen në pikturat e tij mahnitëse.
Lindur në qytetin e Memaliajt, vitet e para të fëmijërisë i kaloi në fshatin e lashtë të Shehajt (i njohur tashmë si Anëvjosë), sipas tij fshati më i bukur në gjithë trevën shqiptare. Piktori Diamant (Elmas) Shehu i cili sot bënë një jetë boheme, është një vizionar që ka gjetur frymëzim të veçantë në peizazhin dhe trashëgiminë e tij kulturore, shkruan KultPlus.
Jeta e thjeshtë i ka ndihmuar të mbajë fokusin tek krijimi, pa ju nënshtruar rregullave dhe konvencioneve të shoqërisë. Që në kohën e tij të fëmijërisë, Diamanti manifestoi aftësinë e tij të jashtëzakonshme për të vizatuar dhe për të përdorur ngjyrat në mënyrë të mahnitshme. Në ato fusha të gjelbra dhe kodrat e Anëvjosës, ai gjeti burimin e parë të inspirimit për kreativitetin e tij të ardhshëm. Fshati i tij i lindjes nuk ishte vetëm një vendbanim, por një burim i pashtershëm për të nxjerrë në pah bukurinë natyrore dhe ritmet e jetës rurale.
Filloi të vizatoj që kur mban mend vetën. Me mbështetjen e babait të tij, që për të mbetet i paharruar, ai vazhdoi pandalur rrugën e pikturës.
“Babai gjeti te unë talentin dhe nuk u tërhoq kurrë, as kur mori vlerësim negativ për talentin tim. Andaj i jam mirënjohës përjetë”, shprehet Diamanti në një intervistë për KultPlus.
Përderisa përkrahja nuk i mungoi, ajo u kthye në punë e vullnet për të kaluar me sukses konkursin për pikturë në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë dhe tutje shkollën e mbaroi në qytetin e Beratit me mësues, artistë të njohur të pikturës, skulpturës dhe grafikës.
“Ekspozitën e parë e kam hapur në vitin 1987 në SHQUP (Shtëpia Qëndrore e Ushtrisë). Me rënien e sistemit totalitar kontakti me artin u bë më tepër shpirtëror, për më shumë se 20 vjet. Në vitet e para të demokracisë kam qenë në kërkim të vetvetes dhe në këtë periudhë deri në vitin e Zi për Shqipërinë, 1997, kam mbijetuar duke bërë punë nga më të ndryshmet”, shprehet Diamanti për një ndër periudhat më të vështira të jetës.
Sot, kur ne po bisedojmë me të, ai jeton dhe punon në sheshin e piktorëve në ishullin grek të Rodosit.
Ishulli grek i Rodosit, ky ishull i lashtë, i mbushur me pasuri historike dhe pamje natyrore të mahnitshme, i ofroi artistit një platformë për të shprehur ndjenjat e tij më të thella. Duke përdorur teknika të ndryshme dhe kombinime ngjyrash, Diamanti i dha jetë peizazheve të pafundme të ishullit, duke i dhënë atyre një dritë të re dhe një kuptim të thellë emocional.
Pikturat e tij kanë një shtrirje të gjerë, ndërsa për portretet që duket sikur janë pjesa dërmuese e punës së tij të përditshme, ai thotë se akoma nuk ka gjetur arsye tjetër për të punuar portrete ,veç atyre ekonomike.
“Portreti është gjini e vështirë nga ana teknike por vetëm si portret, pa u plotësuar me atmosferën historike dhe pa u kompozuar nga syri i artistit, ngelet larg artit”, shprehet Diamanti.
Edhe pse sot jeton në Greqi, ai ka mbetur i pandarë nga kujtimet e fëmijërisë së tij në Anëvjosë. Për artistin, kjo pjesë e jetës së tij është burimi i vërtetë i identitetit dhe frymëzimit të tij. Duke mbajtur gjallë trashëgiminë kulturore të fshatit të tij të lindjes, ai ka sjellë në jetë historinë dhe traditat e tij nëpërmjet pikturave.
Ndërsa kur flasim për portretet, aty ku piktori duket sikur ka zhytur veten dashje padashje, ai në këtë pikë ka një portret që e ka realizuar qindra herë.
Është portreti i aktorit të njohur shqiptar, Bekim Fehmiut, për të cilin piktori flet me superlativa dhe dëshmon se ka ruajtur lidhjen e fortë me identitetin shqiptar dhe e ka sjellë atë me pasion në punën e tij artistike.
“Bekim Fehmiu është një mit i madh dhe një pikë referimi për të gjithë ata artistë që e shikojnë se jeta e tyre artistike dhe kulturore ngjan për nga natyra dhe kushtet politike dhe shoqërore në të cilat duhet të gjej rrugën për të punuar dhe jetuar normalisht dhe duhet të bëhen ura lidhëse për popujt dhe politikën e stilit ballkanik, që punon për të kundërtën”, shprehet artisti Shehu.
Përkundër dashurisë së madhe për këtë aktor, Diamanti nuk e ka pasur fatin ta takoj fizikisht asnjëherë, por me figurën e tij artistike ai pohon se takohet çdo ditë.
“Takohem me të kur turistët serb thonë se është serb dhe kur ata shqiptarë e blejnë portretin e tij ,apo edhe kur vendasit grekë befasohen kur mësojnë kush është artisti që ka luajtur rolin e Odiseut përkrah të madhes Irene Papas. Por momentet më të mira i kam me bashkatdhetarët tanë të cilët befasohen kur mësojnë se jam shqiptar dhe marr guximin të pikturoj Bekim Fehmiun në Greqi”, shprehet Diamanti teksa ndan me ne edhe një moment shumë emocional kur një djalë nga Vlora, me profesion aktorë në Londër, po qante përballë portretit të Bekim Fehmiut derisa nuk po mund të merrte veten për tu shprehur nëse mund ta blinte atë portret.
Përmes pikturës së tij, Diamanti ka një synim, që figura e Bekim Fehmiut të njihet edhe nga populli artdashës grek dhe të largohet çdo pengesë fetare, ideologjike dhe kulturore ndaj krijimeve artistike të cilat përcjellin mesazhe që nuk përkojnë me këndvështrimin e ngushtë që kultivojnë për shekuj me radhë në Ballkan.
“Arti është shpirti i njeriut. E bukura do të duhet të kultivohet kudo dhe ajo duhet të triumfojë. Mbi të zakonshmen, të rëndomtën ,mbi atë që përmban kotësinë. Nëpërmjet artit mund të shkruajmë historinë njerëzore pa ftuar politiken në kuvend”, thotë piktori.
Krejt për fund, Diamanti ka zbuluar për KultPlus se është duke punuar për një ekspozitë individuale në grafikë dhe skulpturë të cilën do ta prezantojë në Ishullin e Rodosit ku jeton që nga viti 1997.
Përkundër jetës së vështirë e plot sfida, nëse do të kishte një gjë për të cilën do të kthehej në kohë dhe ta bënte ndryshe, Diamanti nuk është i kësaj natyre.
“Nuk do doja të shikoj prapa për të ecur përpara. Besoj se koha nuk kthehet më. Për më tepër besoj te thënia: Mos humb kohë për kohën që iku. / KultPlus.com