1 Mars, 2021 - 11:29 pm
Më e famshmja ndër pikturat e realizuara nga ish-kryeministri britanik Winston Churchill (1874-1965), u shit sot në ankand për shtatë milionë stërlina (8,1 milionë euro) nga shtëpia e ankandit Christie’s, në Londër.
“Kulla e xhamisë Koutoubia” (1943), është një pikturë e realizuar me rastin e një vizite zyrtare në Marok gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Vepra e realizuar në vaj, e ofruar për shitje nga aktorja amerikane Angelina Jolie, konsiderohet të jetë piktura më e rëndësishme e Sir Winston Churchill, për shkak të ndërthurjes së saj me historinë e shekullit XX”, tha historiani i artit britanik, Barry Phipps.
Peizazhi i thjeshtë dhe i zbukuruar i pikturës përfaqëson minaren, simbolin e fuqisë së dinastisë Almohad (shek. XII), e ndërthurur me muret e qytetit antik dhe e mbështetur në malet e mbuluara me dëborë.
Në atë kohë, Churchill ia dhuroi atë Roosevelt-it.
E shitur nga një prej djemve të Roosevelt në vitet 1950, piktura ndryshoi pronarë disa herë, para se të zbarkonte në vitin 2011 në koleksionin e çiftit hollivudian Angelina Jolie dhe Brad Pitt./ atsh/ KultPlus.com