29 Prill, 2018 - 1:56 pm
Piktura e njohur me titull “Dy rojet shqiptare para portës”, që paraqet dy roje shqiptare në Egjipt, një nga kryeveprat e piktorit serb të shekullit të XIX, Paja Jovanoviq, është shitur në Londër.
Piktura është shitur në ankandin e famshëm të artit, “Sotheby’s”, duke filluar nga shifra e 150 mijë stërlinave deri në shifrën përfundimtare të afro gjysmë milioni stërlinash, duke e bërë atë pikturën më të shtrenjtë të këtij piktori, shkruan Tch.
Paja Jovanoviq ka rreth 8 tablo me tematika shqiptare dhe njihet si “orientalisti” më i madh serb. Jovanoviq ka udhëtuar disa herë në Shqipëri, duke qëndruar në Shkodër për t’u njohur me kostumet kombëtare shqiptare, ku thuhet se krijoi një miqësi të fortë me piktorin e shquar të Rilindjes Kombëtare, Kol Idromenon.
#AuctionUpdate Paul Joanowits' exquisitely detailed 'Bashi-bazouks before a Gateway' climbs to £465,000, three times over high estimate. #SothebysMiddleEast pic.twitter.com/VZt5tLB1vJ
— Sotheby's (@Sothebys) April 24, 2018
Ai ka qëndruar në mesin e shqiptarëve, që nga Mali i Zi e deri në Egjipt, e njihet si një ndër piktorët e rrallë që ka nxjerrë me ngjyra në pëlhurë madhështinë dhe krenarinë e shqiptarit, së bashku me rrobat karakteristike.
Ndër pikturat me tematikë shqiptare janë “Përgatitja e nuses shqiptare”, “Mësimi i shpatës”, “Vallja e shpatave”, “Vajza me çifteli”, “Dredhja e duhanit”, “Shqiptari duke pushuar”, etj.
Edhe pse nuk dihet blerësi, media serbe ka kritikuar ashpër qeverinë që nuk investon në blerjen e këtyre veprave për Muzeun e tyre Kombëtar. Ndërkohë që në Shqipëri, asnjë nga këto piktura nuk është pronë e fondit të artit, apo ndonjë koleksionisti shqiptar. / KultPlus.com